Amazon është bërë kompania e dytë më e vlefshme sipas “Wall Street”, duke kaluar vlerën e një trilion dollarëve, vetëm pak javë pasi këtë rekord e arriti për herë të parë në histori kompania Apple.
Të martën, një rritje e beftë e çmimit të aksioneve të Amazon, e cila është e listuar në bursën “Nasdaq” të Shteteve të Bashkuara, e bëri atë të kalonte mbi limitin e pakapshëm deri pak javë më parë të një trilion dollarëve, vlerë të cilën e ruajti në mënyrë të brishtë deri pasditen e sotme.
Arritja e kësaj vlere shënon edhe kapitullin e fundit në historinë e mahnitshme të rritjes së kësaj kompanie, të themeluar nga biznesmeni Jeff Bezos në Seattle të Uashingtonit në vitin 1994.