Ambasada e SHBA-së në Kosovë shpreh keqardhje ndaj Listës Srpska dhe akterëve tjerë politikë serbë të Kosovës që nuk rishqyrtuan vendimin për mospjesëmarrje në votimet e sotme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunat e Veriut.
SHBA dhe partnerët e saj e ndoqën nga afër procesin e votimit dhe sikurse edhe KQZ konstatojnë se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët.
“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me
kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën për Gazetën Express.
Zëdhënësi citon ambasadorin Hovenier që është e rëndësishme për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.
Pavarësisht kësaj, SHBA shpreh keqardhje për tërheqjen e Listës Serbe dhe politikanëve serbë të Kosovës nga mundësia për largimin e kryetarëve në Veri.
“Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i bënë thirrje Listës Srpska dhe akterëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim
ligjor për tërheqjen e kyetarëve. Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, vijon përgjigja.
“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullësisë të cilës u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”.