Ambasada amerikane në Serbi, paralajmërimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë e ka quajtur “lajm të mirë”.“Takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”, ka thënë kjo ambasadë përmes një njoftimi në rrjetin social, Twitter.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë –Serbi, Richard Grenell ka paralajmëruar të premten se liderët e këtyre dy shteteve do të takohen më 2 shtator në Uashington.
Grenell në postimin e tij në Twitter nuk ka dhënë detaje se për cilat tema do të bisedohet në këtë takim.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka mirëpritur organizimin e këtij takimi.
“Mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka deklaruar Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Ky është takimi i dytë që është organizuar nga Grenell.
I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.
Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.
Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.