Këshilli Prokurorial i Kosovës është pajtuar që procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës ta monitorojnë së bashku me Ambasadën Britanike në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur nga zyra për media e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e kësaj ambasade do të bëhet me qëllim që procesi të jetë i drejt, transparent dhe të respektohet meritokracia.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës ka rënë dakord që Ambasada Britanike të përfshihet drejtpërdrejtë nga fillimi i këtij procesi të rekrutimit, për të ndihmuar dhe siguruar që të jetë i drejtë, trasnparent dhe meritokratik”, thuhet në njoftim për media.
Për këtë çështje nesër do të organizohet edhe një konferencë për media, ku do të tregohet për procesin e rekrutimit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ftuar të gjithë ata që plotësojnë kriteret të bëhen pjesë e kësaj gare.
Ambasada Britanike e Kosovës ka participuar edhe në procesin e zgjedhjes së Sekretarit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, por është zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë asnjërin prej emrave të propozuar nga Ambasada.
Ky veprim, sipas Ambasadës, ishte shkelje e pastër e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës.