Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviq, e quajti masakrën e Reçakut trillim e të inskenuar nga Walker.
Në reagimin e ambasadës thuhet se mbretëria e Bashkuar mbështet deklaratat nga Bashkimi Evropian, PSSP i Kombeve të Bashkuara dhe të tjerët, si përgjigje ndaj komenteve të fundit që mohonin ngjarjet e mirë dokumentuara që kanë ndodhur në Reçak, në janar të vitit 1999.
“Përfaqësuesit nga të gjitha palët kanë përgjegjësi që të përmbahen nga retorika e dëmshme dhe provokative, që është mos respektuese ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, dhe dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog”, thuhet në reagim.
Tutje, nga kjo ambasadë kanë thënë që presin nga institucionet gjyqësore në Prishtinë do të ndjekin procesin e duhur në trajtimin e të gjitha çështjeve në mënyrë transparente, pa paragjykime etnike.
Pak më parë për këtë temë ka reaguar edhe ambasada e Zvicrës në Kosovë, duke thënë se në shoqëritë pas konfliktit është thelbësore të pajtohen me të kaluarën.