Ambasada e Gjermanisë s’e komenton publikisht votën e Serbisë kundër Kosovës në KiE

Prishtinë | 26 Pri 2023 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar të hënën, me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

Si zakonisht, Serbia edhe kësaj here ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Mirëpo e pazakonshmja është se tani ekziston një marrëveshje që Serbia të mos e pengojë Kosovën për t’u integruar në organizata ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta zbatojnë propozimin e iniciuar nga Gjermania dhe Franca për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy vendeve që u ndanë me luftë në vitin 1999.

“Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, shkruan në nenin 4 të propozimit franko-gjerman i cili është i përbërë prej 11 pikave.

Klankosova.tv e ka kontaktuar Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë për ta pyetur nëse Serbia e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit/Ohrit me votën e saj kundërshtuese të hënën. Mirëpo kjo ambasadë ka thënë se nuk i komenton publikisht votimet që bëhen në mënyrë jopublike.

“Ne nuk i komentojmë publikisht qëndrimet e votimit të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në seancat jopublike”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, këtë veprim të Serbisë e ka cilësuar si shkelje të marrëveshjes së Ohrit.

“Në më pak se 24 orë, Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit: 1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2). 2. Lobimi dhe votimi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE (në kundërshtim me nenin 4)”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Twitter.

Pas marrëveshjeve të arritura më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, ka pasur zëra edhe nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se palët do të sanksionohen në rast se e shkelin marrëveshjen.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ai nuk i është përgjigjur pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Të ngjashme