Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka lajmëruar këtë të enjte se në fillim të këtij muaji ka akordua një fond shtesë prej 920 mijë dollarësh për të ndihmuar sistemin e burgjeve në Shqipëri.
Përmes një statusi në rrjetin social, Ambasada shkruan se një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për të forcuar sundimin e ligjit dhe krimin e organizuar. Deri më tani, vë në dukje Ambasada e SHBA-ve, mbështjetja e Amerikës ka shkuar në 5.1 mln dollarë.
Shkrimi i plotë:
Një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për përpjekjet e vazhduara të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar. Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë. Ndihma shtesë do të kontribuojë për Planin e Veprimit për Burgjet 2019 të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të kenë në shënjestër reformat brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të profesionalizuar edhe më tej sistemin korrektiv, përforcuar sigurinë publike, dhe zbatuar masa energjike kundër aktivitetit kriminal të organizuar. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mënyrë të palëkundur për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent.