Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial kanë finalizuar strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.
Për këtë erdhi edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.
Në reagim thuhet se kjo është e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Sot Ministria e Drejtësisë shpalosi strategjinë dhe planin e veprimit për Rishikimin Funksional, një moment historik i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën nga ambasada.
Megjithëkëtë theksohet se ky nuk është fundi i këtij procesi për çka nga ambasada thonë se do të nxisin qeverinë e re që të miratojë dokumentet përfundimtare dhe të zbatojnë të gjitha rekomandimet.
“Përmes katër qeverive dhe katër ministrave, Ambasada ka qenë krenare që ka mbështetur këtë ndërmarrje masive. Sidoqoftë, ky nuk është fundi i këtij procesi. Ne e nxisim qeverinë e re, sapo të formohet, të miratojë dokumentet përfundimtare dhe që institucionet përkatëse të Kosovës të përqafojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha rekomandimet. Ky nuk është një proces politik, por i drejtuar nga institucionet e Kosovës. Reforma në drejtësi do të përfitojë të gjithë njerëzit në Kosovë”, u tha në reagim.