Pak orë pas publikimit të lajmit se Komisioni Evropian ka refuzuar kërkesën e Holandës për heqjen e vizave me Shqipërinë, ka ardhur edhe qëndrimi i Ambasadës Holandeze në Tiranë.
Në reagimin e tyre, ata shpalosin përgjigjen zyrtare të KE-së, ku nënvizohet se Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.
“Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar”, thuhet në deklaratën e ambasadës holandeze, raporton tch.
Më tej shtohet se “Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”.
Reagimi i plotë i ambasadës holandeze në Tiranë:
Komisioni Evropian ka refuzuar kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të KE-së, Shqipëria nuk ndodhet në rrethanat kur mund të vihet në lëvizje mekanizimi për pezullimin e vizave.
Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Evropian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019.
Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.
Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase.
Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve.