Taksa e Qeverisë prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina ka dominuar takimin mes udhëheqësve të Kosovës, Delegacionit shtetëror dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
Burime të Kohës Ditore brenda takimit të zhvilluar në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se kërkesa kryesore e diplomatëve ndërkombëtarë ka qenë që Kosova dhe Serbia të merren vesh për një “armëpushim”, me qëllimin që t’i jepet rast arritjes së Marrëveshjes, në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Megjithëse kanë vlerësuar formimin e Ekipit negociator, hapi i radhës i kërkuar është suspendimi i taksës, të paktën deri në muajin prill, “ndërsa në anën tjetër Serbisë i është thënë se do t’i kërkohet që ta stopojë fushatën për t’ia anuluar njohjet Kosovës”.
Por siç merr vesh gazeta, kryeministri Haradinaj nuk ka dhënë shenja zmbrapsjeje nga vendimi, i cili u mor një ditë pas dështimit që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL, si pasojë e një fushate agresive të Serbisë.
Në takimin e ftuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë marrë pjesë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, si dhe zëvendësambasadori gjerman, Jan-Axel Voss.