Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është parë duke hyrë në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, shkruan Ekonomia Online.
Situata në veriun e vendit është përkeqësuar ditëve të fundit me vendosjen e barrikadave në atë pjesë të vendit, e për këtë situatë Kurtit gjatë këtyre ditëve i janë shtuar vizitat.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me situatën në veri për prestigjiozen britanike “The Guardian”, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.
Ai ka shtuar se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të një mendje për heqjen e barrikadave, por se edhe ata janë të shqetësuar se si do të përdoret kjo situatë.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.
Kosova ka rritur prezencën e policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërkaq për shkak të barrikadave, janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Aktualisht, sipas autoriteteve, në veri janë ngritur nëntë barrikada.
Së fundi, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kërkuar heqjen e barrikadave në veri.
Po ashtu edhe Gjermania ka qenë e zëshme, duke kërkuar me patjetër që barrikadat të largohen dhe të krijohet lëvizja e lirë.