Ambasadori i amerikan në Beograd, Anthony Godfrey tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pakënaqura me vonesën e vazhdueshme të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne mbështesim përpjekjet e (ndërmjetësit të BE-së) Miroslav Lajçcak dhe shpresojmë në fillimin e planifikuar të dialogut në javët e ardhshme”, i tha ambasadori amerikan sot gazetës serbe, “Kurir”.
I pyetur nëse ka gjasa që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris ose Sekretari i Shtetit, Antony Blinken do ta vizitojnë Serbinë, Godfrey tha se ato vizita tashmë janë të vonuara, por shtoi se do të mundohet që t’i bind ata të shkojnë në Serbi.
“Shtetet e Bashkuara e njohin rëndësinë e rolit që Serbia luan në Evropë dhe ne jemi të përkushtuar për të avancuar partneritetin tonë dhe për të kontribuar në forcimin e një Evrope të lirë, të bashkuar dhe të sigurt”, tha Godfrey.