Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, John Sullivan, tha të premten se Rusia po deklaron se nuk dëshiron luftë, por e ka vendosur “armën mbi tavolinë” në bisedimet me ShBA-në duke grumbulluar trupa në kufijtë e Ukrainës.
Në një deklarim përmes internetit nga Moska, ambasadori amerikan e përshkroi si të jashtëzakonshëm grumbullimin e dhjetëra mijëra ushtarëve rusë dhe tha se kjo gjë nuk mund të shpjegohet si ushtrim i rregullt ushtarak, shkruan Reuters.
“Kjo është e barasvlershme me këtë situatë: nëse unë dhe ti do të ishim duke bërë një diskutim ose bisedim, nëse unë vendos një armë mbi tavolinë dhe them se vij në paqe, kjo është kërcënuese dhe kjo është ajo që e shohim tash”, tha Sullivan para gazetarëve.
“Ne shpresojmë që qeveria ruse është e vërtetë ndaj fjalës së vet dhe nuk planifikon e nuk e pushton më tej Ukrainën, por faktet sugjerojnë se e ka aftësinë e tanishme për ta bërë këtë”, shtoi diplomati amerikan.
Sullivan tha se Uashingtoni tash është duke e pritur përgjigjen ruse ndaj dokumenteve me shkrim të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, në të cilat është hartuar një rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës rreth Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë që t’i tërheqë trupat nga zona afër kufirit ukrainas.
Ai tha se në dokumentet e ShBA-së dhe NATO-s ka mënyra për ta qetësuar krizën me propozime për transparencë më të madhe rreth ushtrimeve ushtarake në Evropë si dhe për shitjet e armëve për Ukrainën.
Ndryshe, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha të premten se Moska nuk dëshiron luftë me Ukrainën dhe foli me ton pozitiv rreth propozimeve të sigurisë të Shteteve të Bashkuara, të cilat i pranoi para pak ditëve.
Ai tha se propozimet e Shteteve të Bashkuara ishin më të mira se ato që Rusia mori nga NATO-ja, duke shtuar se pret të takohet përsëri me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në javët e ardhshme.