Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, mendon se ka ardhur koha që përfaqësuesit politikë të largohen nga politikat tradicionale tregtare dhe të mendojnë se si të ndërtojnë një shtet të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për gjeneratat e ardhshme.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Redaksia për komunitete, Ambasadori Kosnett tha se Lista Serbe është një realitet politik në Kosovë dhe se të drejtat e të gjitha komuniteteve, duhet të respektohen.
Ambasadori amerikan përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, sepse me normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella, të dyja vendet do të tërheqin më shumë investime nga jashtë. Kosnett ka shtuar se SHBA do të shqyrtojë çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe çështjen e përshtatjes së territorit, por vetëm deri në atë masë kur ka mbështetje nga të dyja palët. Ambasadori Kosnett foli edhe për rëndësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë si dhe rolin e SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Intervista e plotë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Z. Ambasador, si i vlerësoni negociatat e deritashme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Kosnett: Unë besoj në të dyja palët. Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë të angazhuara për ndërtimin e një koalicioni që do të përfaqësojë në mënyrë efektive gjithë popullin e Kosovës. Unë mendoj se më 6 tetor, populli ka votuar për ndryshime, dhe këto parti, janë të përkushtuara për një gjë të tillë. E rëndësishme është që të dini se ky koalicion i ri qeverisës, duhet të përfshijë përfaqësues jashtë këtyre dy partive. Disa ditë më parë, unë takova përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe dhe besoj se ata gjithashtu janë të gatshëm që të largohen nga politika tradicionale, në të vërtetë, të përpiqen që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për këtë vend.
Grupet punuese të Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë njoftuar se kanë rënë dakord 100% për programin e tyre, por duket se arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë?
Kosnett:Ka pasur shumë deklarata publike dhe spekulime për natyrën e këtyre bisedimeve, dhe dua të tërhiqem nga komentimi i tyre; nuk kam koment për këtë temë. Qeveria ime është e bindur që kjo do të funksionojë dhe ne jemi më të interesuar që të diskutojmë për përparimin dhe për të ardhmen e vendit se sa për këto detaje politike.
Pyetja ndoshta mund të jetë hipotetike, por nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja. A mund të përballojë Kosova zgjedhje të reja?
Kosnett:Mundësitë janë shumë të vogla që kjo të ndodhë. Por, siç theksuat edhe ju, kjo pyetje është hipotetike dhe le ta lëmë kështu. Unë mendoj se Vetëvendosja dhe LDK dhe partitë e tjera e kanë mundësinë për të krijuar një qeveri që do të bëjë gjëra të mëdha për këtë vend. Mendoj se Vetëvendosje dhe LDK, si dhe partitë e tjera, e kanë rastin që të formojnë një qeveri e cila do të bëjë gjëra të mëdha për këtë vend. Madje, edhe partitë të cilat nuk do të jenë pjesë e qeverisë së re, ato që kanë mbetur në opozitë, kanë në rol të rëndësishëm. Duke menduar për unitet të vendit, duhet të kërkohet rasti për një bashkëpunim konstruktiv me qeverinë. Qëndrimi jonë është se i gjithë populli i vendit, e ka rolin e vet. Shumë herë kemi folur për rolin e partive politike, por njerëzit në sektorin privat, ata nga shoqëria civile si dhe qytetarë të thjeshtë dhe mediet, të gjithë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë që zëri i tyre të dëgjohet.
Si e sheh SHBA-ja Albin Kurtin si kryeministër të ardhshëm ?
Kosnett:Mendoj se z. Kurti e di se për të qenë kryeministër, është shumë më ndryshe se sa të jetë lider opozitar. Mendimet e tij shumë shpejt po përparojnë, dhe mendoj se ai do të provojë që të afrohet me të tjerët me qëllim që të ndërtojë një qeveri gjithëpërfshirëse, si dhe të ndërmarrë një hap konstruktiv përpara në të gjitha fushat që SHBA i konsideron të rëndësishme për Kosovën. Çfarë po nënkuptoj me këtë: Ne po bisedojmë për prioritetet tona për Kosovën të cilat janë shndërruar në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në ndërtimin e paqes, prosperitetit dhe drejtësisë. Paqja, drejtësia, prosperiteti. Me paqe nënkuptojmë përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, me vendet fqinje, por edhe marrëdhëniet më të mira midis komuniteteve në Kosovë. Kur flasim për drejtësinë, bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, e që ishte pjesa kryesore e madhe gjatë fushatës zgjedhore këtë vit. Po ashtu, i rëndësishëm është ndërtimi i një shoqërie të barabartë për të gjithë, mundësi të barabarta, të drejta të barabarta para ligjit, pavarësisht nga bashkësia, gjinia dhe orientimi i tyre. Ndërsa kur bëhet fjalë për prosperitetin, çelësi është zhvillimi ekonomik, që do të nxjerrë energjinë dhe krijimtarinë e sektorit privat. Investimet e huaja janë të rëndësishme dhe ne mendojmë se marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në investime më të mëdha të huaja. Në të njëjtën kohë, Kosova nuk duhet të neglizhojë energjinë dhe kapacitetin e njerëzve të saj, dhe kur bëhet fjalë për prosperitetin, çelësi është zhvillimi ekonomik që do të nxjerrë në sipërfaqe energjinë dhe krijimtarinë e sektorit privat. Investimet e huaja janë të rëndësishme dhe ne mendojmë se marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në investime të huaja më të mëdha. Në të njëjtën kohë, Kosova nuk duhet të neglizhojë energjinë dhe aftësitë e popullit të saj