Ambasada Britanike përmes partnerëve të saj implementues “Axiom International” dhe “Agencia limited”, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) kanë lansuar projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori Britanik në Kosovë, Nicholas Abott, tha se Britania ka besim të madh në vlerat e Kosovës, sidomos në përforcimin e sundimit të ligjit.
Abott u shpreh se progresi në sistemin e drejtësisë vjen duke i zbatuar 3 elemente thelbësore, si; rekrutimet, emërimet e stafit udhëheqës dhe gjykatave dhe vlerësimet e performancës.
“Shteti im ka interes që ta mbështes Kosovën në këtë rrugëtim kjo do mundësonte që pas 20 vitesh investitorët tanë mos të hezitojnë dhe të vijnë të investojnë në Kosovë dhe kjo ka një interes reciprok për të arritur tek një gjyqësor transparent janë e elemente thelbësore; rekrutimet, emërimet e stafit udhëheqës dhe gjykatave dhe vlerësimet e performancës. Ky projekt ka për qëllim që të mbështes Këshillin Gjyqësor të Kosovës pikërisht në këto 3 procese”.
“Kjo si rrjedhojë do të mundësonte efikasitet në zgjidhjen e lëndëve po ashtu edhe emërimet e drejta. Vlerësimi i performancës është mekanizmi i duhur që do të duhej përdorur për ta vlerësuar punën e mirë. Në fund është sistemi dhe qytetarët që e pësojnë më së shumti”.
“Mekanizmat e krijuar duhet të përdoren që ky sistem të përmirësohet. Puna e gjyqtarit mban peshën e një përgjegjësie të lartë. Kosovën e pret një rrugëtim jo i lehtë më këtë rrugëtim ne presim shumë pasi kemi besim në aftësitë dhe vlerat e këtij vendi”.
Ndërsa kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skënder Çoçaj, tha se bashkëpunimi si dhe ndihma e Britanisë është e nevojshme ani pse sipas tij, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shënuar progres kohëve të fundit.
“Kam nderin që të nënshkruaj këtë memorandum bashkëpunimi për forcimin e sundimit ligjor në Kosovë. Sundimi i qëndrueshëm ligjor paraqesin kushtet kryesore për një zhvillim ekonomik dhe përbën faktorin më të rëndësishëm për integrim. Sistemi i drejtësisë ka shënuar progres kohëve të fundit. Në rrjedhën e këtyre proceseve jemi në proces të ndërmarrjeve të reformave, si funksionalizmin e departamentin special, performancën e gjyqtarëve etj. Një prej objektivave të KGjK-së është përmirësimi i ndjeshëm i rekrutimit”.
“Ky projekt ka mundësuar një mundësi të mirë trajnimi për gjyqtarët tanë në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë drejtim KGjK do të ofrojë ndihmën dhe bashkëpunimin e parezervë për këtë projekt. Mbetem me shpresë që ky do jetë vetëm fillim i bashkëpunimit tonë dhe rezultatet e këtij memorandumi do jetë çelës për bashkëpunime tjera në të ardhmen”.
Menaxheri i projektit, Steve Pitts, tha se të gjithë ata të cilët ndikojnë negativisht në sistemin e drejtësisë, duhet të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës, raporton EO.
“Ky projekt ka filluar në shtatorin e kaluar. Gjatë 4 muajve të parë të projektit tonë ne kemi mbledhur një mori informacionesh. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë bënin një punë të mirë por ajo që ishte e përbashkët ishte që shihej që dikush duhet të bënte diçka për këtë. Në këtë lloj sistemi është e vështirë që ti mbajmë personat llogaridhënës”.
“Thelbi i qasjes sonë është që përgjegjësinë dhe pronësinë për sukses t’ia bartim institucionit përfitues. Ne besojmë që përmes punës së përbashkët do të bëjmë ndryshimin që do jetë afatgjatë. Duhet që më mënyrë efektive ti mbajmë personat përgjegjës dhe ta mbajmë kontrollin”.
Në fund u nënshkrua edhe projekti “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, nga ambasadori britanik, Nicholas Abott dhe kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj.