Ambasadori gjerman në Tiranë: Presim zgjedhje të lira, të drejta dhe paqësore

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në një intervistë për DW flet për pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ai u bën thirrje zgjedhësve shqiptarë të votojnë kurse partive të pengojnë manipulimet.

Z. Ambasador, Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare 2021, që zhvillohen këtë të dielë, më 25 Prill dhe shënojnë zgjedhjet e 9-ta parlamentare në tranzicionin e saj të trazuar post-komunist. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?

Peter Zingraf: Ju përmendët tranzicionin post-komunist. Por ndërkohë Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe me këtë përvojë ajo çfarë duhet të presë çdo shqiptare dhe shqiptar nuk mund të jetë asgjë më pak se zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t’i bëj thirrje çdo qytetareje dhe qytetari, të shfrytëzojë të drejtën e votës dhe të shkojë të votojë. Në demokracitë tona zgjedhjet janë një instrument qendror që na mundësojnë ne, të gjithëve, të bashkëpërcaktojmë zhvillimin e vendit tonë.

Cili do të ishte mesazhi juaj për aktorët kryesorë politikë lidhur me kapërcimin e polarizimit ekstrem, gjuhës së urrejtjes, konfrontimeve dhe tensioneve, që në të vërtetë po shfaqen në fushatën zgjedhore edhe pse ajo po zhvillohet në një formë jo tradicionale kjo për shkak të pandemisë?

Peter Zingraf: Një shkallë e caktuar konkurrence dhe përballjeje politike është normale në një demokraci. Por, për të gjithë aktorët e përfshirë duhet të jetë e qartë se retorika agresive dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të kenë vend këtu. Respekti i ndërsjelltë dhe gatishmëria për dialog duhet të vlejnë edhe në kohë fushatash zgjedhore. Dhe në vend që të shpotisin dhe të flasin për njëri-tjetrin, tani do ishte një mundësi e mirë për partitë dhe kandidatët, të përqendronin debatet në programet e tyre përkatëse dhe në reformat që ata duan të propozojnë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve.

Ambasador Zingraf, zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit do të mbahen me një kod zgjedhor të ndryshuar sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Çfarë shpresoni se po i sjell procesit zgjedhor ky kod zgjedhor i ndryshuar? A do të mund të garantojë ai integritetin e këtyre zgjedhjeve dhe shmangë sidomos një manipulim të mundshëm zgjedhor përmes blerjes së votës?

Peter Zingraf: Reforma zgjedhore dhe veçanërisht marrëveshja e 5 Qershorit treguan se aktorët politikë janë të aftë të ndërtojnë një dialog politik konstruktiv, edhe pse i arritur ky me vështirësi. Unë do të doja të shihja më shumë nga kjo frymë edhe gjatë fushatës zgjedhore aktuale, dhe po ashtu pas zgjedhjeve, kur bëhet fjalë për respektimin e rezultatit zgjedhor. Disa masa të reformës zgjedhore si p.sh. identifikimi biometrik i zgjedhësve synojnë në të vërtetë të pengojnë proceset manipuluese. Përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjithashtu ka rezultuar shumë e mirë dhe do të doja të përfitoja nga rasti e të nënvizoja punën e vështirë dhe profesionale të KQZ-së dhe Komisionerit Celibashi, të cilët kishin pak kohë për përgatitjen e zgjedhjeve. Natyrisht dëshiroj t’u bëj thirrje partive politike, të luajnë sipas rregullave dhe të pengojnë çdo formë të manipulimit zgjedhor.

Dëshiroj të shtoj gjithashtu se, në vend ndodhen për momentin, ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, vëzhgues ndërkombëtarë, ku bëjnë pjesë dhe vëzhguesit e ODIHR-it, të cilët do të ndjekin më nga afër procesin. Por do të ketë gjithashtu dhe shumë misione vëzhguesish vendorë, dy prej të cilëve (KRIIK dhe AHC) mbështeten financiarisht nga Ambasada Gjermane. Dhe unë personalisht si dhe kolege dhe kolegë të ambasadës, bashkë me një numër të madh të ambasadave të tjera, do të jemi ditën e votimit në lëvizje.

Sipas mendimit tuaj, cila është sfida më e madhe e institucioneve dhe administratës zgjedhore në këto zgjedhje?

Peter Zingraf: Ne sapo folëm për reformën zgjedhore, e cila sjell me vete disa ndryshime dhe gjithashtu sfida. Një prej tyre është dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve që e përmenda dhe më herët, që po zbatohet për herë të parë. Formati i fletës së votimit me listat e hapura për herë të parë është gjithashtu i ri, prandaj mund të presim që procesi i numërimit të zgjasë më shumë se zakonisht. Në fund ka rëndësi që rezultati zgjedhor të jetë sa më i saktë dhe i drejtë. Unë kam besim tek autoritetet përgjegjëse dhe e rëndësishme do të jetë që partitë politike të respektojnë rezultatin që do të kenë përpara.

A është dekriminalizimi i parlamentit të ri deri tani, në rrugën e duhur?

Peter Zingraf: Procesi i dekriminalizimit është i rëndësishëm, shqiptaret dhe shqiptarët presin me të drejtë kandidatë “të pastër”. Edhe ne e presim këtë gjë. Unë mendoj se është ende shumë herët të bëjmë një bilanc përfundimtar për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në lëvizje dhe autoritete të tjera për verifikimin e dokumenteve.

Ambasador, a keni ndonjë mesazh për votuesit shqiptarë?

Peter Zingraf: Mesazhi im për shqiptarët është i thjeshtë dhe të njëjtin mesazh do t’u kisha dhënë edhe zgjedhësve në Gjermani. Shkoni votoni! Përmes të drejtës së votës çdo qytetare dhe qytetar mund të ndikojë në mënyrë aktive në demokraci. Kjo vlen edhe më shumë për njerëzit këtu në Shqipëri, të cilët para 30 vitesh luftuan për një të drejtë të tillë. Ky mesazh u drejtohet në mënyrë të veçantë votuesve të rinj, të cilët votojnë për herë të parë. Për këtë kemi diskutuar me të rinj dhe të reja shqiptare edhe në bisedat online të zhvilluara në lidhje me kryesimin gjerman të Këshillit të Evropës, ende i vlefshëm. Unë jam përfshirë gjithashtu në aksionin “Unë Vendos” të delegacionit të BE-së.

Z. Ambasador, ꞔfarë mendoni për inkurajimin e të rinjve dhe të rejave për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit dhe për të projektuar të ardhmen e tyre në Shqipëri? Largimi i rinisë nga Shqipëria, për një jetë më të mirë në BE ose në përgjithësi në Perëndim, mbetet një çështje akute shqetësuese. Kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19 i kanë frenuar largimet por jo dëshirën e një numri të konsiderueshëm të rinsjh e të rejash që dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre. Mendoj se ka një rrezik potencial për mos-pjesëmarrjes e rinisë në votim.

Peter Zingraf: Shqipëria është një demokraci relativisht e re. Prandaj është shumë e rëndësishme që veçanërisht brezi i ri të shkojë të votojë. Demokracia duhet të riformësohet dhe mbushet vazhdimisht me jetë. Në zgjedhje, në thelb, bashkënegociohet çështja se si ne duam të jetojmë së bashku në të ardhmen. Prandaj sa më shumë të rinj e të reja të marrin pjesë në zgjedhje në Shqipëri aq më shumë, ata mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit të tyre. Emigrimin ne nuk mundemi dhe nuk duam ta pengojmë, sepse ai është pjesë e ADN-së së Bashkimit Evropian. Por, ashtu si dhe në 30 vitet e shkuara, Gjermania do të vazhdojë të angazhohet më tej intensivisht, përmes bashkëpunimit për zhvillim, për të përmirësuar kushtet e jetesës këtu në vend dhe do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë promovimit të mundësive për të rininë në të gjitha programet e promovimit të mundësive për të rinjtë.

Peter Zingraf: Të gjitha institucionet që drejtësia reformoi ose krijoi rishtas janë aktive që prej vitit të kaluar dhe po shpalosin efektin e tyre. Kjo ndodhi më vonë sesa mendohej, por reformat e qenësishme hasin pothuajse gjithmonë në kundërshti dhe vështirësi. E rëndësishme është që kursi i reformave mbetet ende dhe të gjithë aktorët në Shqipëri vazhdojnë të punojnë për ndërtimin e një sistemi drejtësie transparent, efektiv dhe profesional.

Plotësimi i vendeve të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese në dhjetorin e kaluar si dhe në Gjykatën e Lartë në muajin mars të këtij viti, ishin hapa krejtësisht vendimtarë për reformën në drejtësi. Përmes tyre këto dy gjykata rifituan funksionalitetin e tyre. Edhe krijimi i strukturave për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ju përmendët, është i një rëndësie të veçantë. Me nisjen e trajnimit, javën e kaluar, për hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u hodh një tjetër hap i rëndësishëm. Është thelbësore që Shqipëria të vijojë procesin e saj të reformave me vendosmëri. Gjermania njeh përpjekjet e Shqipërisë dhe angazhohet për mbajtjen e konferencës së parë të pranimit sa më shpejt të jetë e mundur. Se kur do të mbërrihet këtu, për këtë nuk do të doja të spekuloja për momentin. Por është e sigurtë që zgjedhjet e drejta, të lira, transparente dhe paqësore do të ndikonin pozitivisht në këtë proces.

Të ngjashme