Në një deklaratë për mediat, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca, ka folur për situatën politike që është pas djegies së mandateve të opozitës.
Ndër të tjera Soreca theksoi se është krijuar një situatë e paqartë dhe që do të vazhdojë më shumë se ç’kemi menduar.
“Javën e kaluar thashë që vendimi për të djegur mandatet mund të krijonte një moment paqartësie, dhe do të duhet kohë përpara se të vijë kjo siguri nga KQZ dhe KQZ do t’i duhet kohë më shumë se ç’kemi menduar. Prandaj kemi thënë që djegia e mandateve do të ishte kundër prodhuese për demokracinë.”
Ndërkohë, ambasadori Soreca dha një apel për protestën që opozita do të zhvilloi sot.
“Ne presim që çdo protestë të jetë e paqtë dhe pa dhunë pasi nuk është e mirë për Shqipërinë dhe reputacionin e saj”
Sipas tij, ditën e enjte pritet të vijë Komisioni i parlamentit Europian i cili do të zhvillojë takime me kreun e qeverisë, të opozitës si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.