Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot ka pritur në takim zyrtar shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog.
Gjatë këtij takimi u diskutuan tema të ndryshme, në fokus për projektet në arsim, shëndetësi, turizëm e zhvillim ekonomik, si dhe hapat që ka ndërmarrë Komuna për uljen e pasojave të shkaktuara nga pandemia.
Duke e shprehur mirënjohjen ndaj ambasadorit Szunyog, kryetari Haskuka deklaroi se ndihet i gëzuar për përshtypjet që ka ambasadori për Prizrenin, imazhin e qytetit, historinë, traditën, kulturën e multi-etnicitetin.
Ndërsa ambasadori Szunyog, duke theksuar se kjo është vizita e parë zyrtare, por jo e fundit në Komunën e Prizrenit, shprehu mbështetjen e mëtejmë të BE-së për projekte dhe aktivitete të ndryshme zhvillimore.
Pas mbajtjes së takimit, ambasadori Szunyog, i shoqëruar nga kryetari Haskuka, vizitoi qendrën historike të qytetit, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe zhvilluan një takim të përbashkët me komunitetin e biznesit në Prizren.