Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abott, i ka bërë të ditura temat e diskutuara gjatë takimit me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook.
Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë në “Fadil Vokrri” në nëntor, në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, ka mbetur ende në mendjen e ambasadorit britanik.
Përkundër që ka kaluar një kohë e gjatë që nga ajo ndeshje, Abott e falënderoi sërish Agim Ademin për mikpritjen që u ishte bërë anglezëve në Prishtinë, në një kohë kur incidentet raciste e kishte mbizotëruar botën e futbollit.
“Dardanët” kishin përgatitur pankarta të veçanta për t’i nderuar anglezët dhe në momentin kur kishte filluar intonimi i himnit anglez, të gjithë tifozët në stadium e kishin ngritur një flamur të Anglisë, si shenjë falënderimi për ndihmën gjatë luftës në Kosovë dhe më vonë.
“Ishte një mundësi e shkëlqyeshme të flisja me Agim Ademin dje në Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe për ta falënderuar atë dhe Federatën për organizimin e mirë të ndeshjes Kosovë – Angli në nëntor”, shkroi Abott.
“Ne po ashtu diskutuam lojën e ardhshme në mes Kosovës dhe Anglisë të ekipeve nën 21 vjet, që do të mbahet më vonë këtë vit. Agimi dhe Federata e Futbollit janë partnerë të besueshëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e tyre në nivel ndërkombëtar”.
Ky takim vjen pas zgjedhjeve për Komitetin Ekzekutiv të Federatës, që u përcoll me disa mospajtime e akuza mes drejtuesve të Federatës dhe përfaqësuesve të disa klubeve të Superligës.