Ambasadori i Kosovës njofton: Në dy banka gjermane Kosova nuk figuron e lidhur me Serbinë

Prishtinë | 05 Nën 2024 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se për disa vite me radhë dy banka në Gjermani e kanë lidhur Kosovën me Serbinë ose e kanë prezantuar si pjesë të saj.

Mirëpo, Ajeti tash ai thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë më, pasi sipas tij emri i Kosovës figuron ashtu siç duhet.

“Falë reagimit dhe angazhimit tonë, si dhe bashkëpunimit me këto institucione bankare, Republika e Kosovës tashmë nuk figuron dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të vërehet edhe nga dëshmitë përkatëse.”, ka shkruar Ajeti

Ai ka theksuar se nëse dikush ka parë ndonjë kompani apo institucion gjerman ku Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ta kontaktojë ambasadën atje.

“Nëse keni hasur në ndonjë institucion apo kompani gjermane, në të cilin Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë të drejtë dhe korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që të mund të korrigjohen gabimet e tilla.”

Ajeti ka publikuar edhe fotografi ku shihet se si ka figuruar Kosova para dhe pas reagimit./EO/

Të ngjashme