Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Davenport në vizitë lamtumirëse në AGK

Prishtinë | 04 Sht 2024 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës priti në takim lamtumirës shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, së bashku me drejtoren Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, falënderuan Davenport për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer dhënë AGK-së, dhe komunitetit të gazetarëve.

Në njoftim thuhet se njëherësh, theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet organizatave, për avokimin e sigurisë së gazetarëve, fuqizimin e lirisë së medieve në Kosovë, si dhe ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve të të gjitha komuniteteve.

Gjatë takimit, AGK-ja i ka ndarë ambasadorit Davenport një mirënjohje si falënderim për përkushtimin personal për lirinë e medias në Kosovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është mirënjohës për partneritetin e mirë që e gëzon me OSBE-në, që prej themelimit të organizatës në vitin 2002. OSBE ndër vite kë mbështetur aktivitete dhe trajnime të shumta të AGK-së, duke luajtur rol krucial në kthimin e Çmimeve Vjetore në Gazetari, në vitin 2021.

Të ngjashme