Ambasadori i OSBE në Kosovë, Jan Braathu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorja e tij Valbona Dërmaku, i bëri dje një vizitë zyrtare Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) dhe takoi kryetarin pastor Femi Cakolli si dhe sekretarin e KPUK pastor Imir Gashi.
Ambasadori u informua me gjendjen dhe pozitën e komunitetit protestant në Kosovë në konsilidimin, përparimin, për rolin dhe pjesëmarrjen aktive të këtij komuniteti në shoqërinë kosovare për avancimin e mëtejmë të përpjekjeve për një Kosovë të re, Kosovë evropiane si dhe Kosovë demokratike dhe zhvillimore.
Pastor Cakolli falënderoi përzemërisht mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që OSBE dhe institucione tjera ndërkombëtare të vendosura në Kosovë i kanë dhënë vendit tonë, që populli i Kosovës të ketë një jetë dhe siguri më të mirë, dhe bashkë me këtë edhe komuniteti ynë gjatë dy dekadave të fundit.
Udhëheqësit e KPUK, në këtë takim, ndanë disa nga përparimet e këtij viti dhe ato të 5 viteve të fundit që ka shënuar Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, sikurse edhe listuan disa sfida që ky komunitet po i has tash e shumë kohë sikurse mungesa e vendvarrezave për protestantët kosovarë, mosdhënia e lejeve për ndërtimin e hapësirave për kishat, moskalimi i ligjit të fesë në Kuvendin e Kosovës si dhe mostrajtimi i duhur i çështjes së pronave.