Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj, ka takuar sot kryetarin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqin, me të cilin kanë biseduar për peticionet rreth shkarkimit të 4 kryetarëve të komunave në veri të vendit.
Malaj ka thënë se biseda është përqendruar në ecurinë e procesit të peticioneve si një detyrim të Kosovës përballë ndërkombëtarëve.
Ambasadori Malaj thotë se Radoniqi e ka informuar në mënyrë profesionale dhe neutrale për masat e marra që ky proces të shkojë me rregull dhe në përputhje me kuadrin ligjor.
“Zhvillova një takim informues me Kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, zotin Kreshnik Radoniqi. Biseda u përqëndrua në ecurinë e procesit të peticioneve, lidhur me largimin e kryetareve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, si një detyrim për tu përmbushur nga Kosova në angazhimin e saj para ndërkombëtarëve.
Kryetari më informoi në mënyrë profesionale dhe të paanshme për masat e marra që ky proces të jetë i rregullt e në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Vlerësova punën e bërë dhe e urova Kryetarin për suksese në përmbushjen e misionit të institucionit që ai drejton”, ka shkruar ambasadori.