Ambasadori i Suedisë në Britaninë e Madhe, Torbjörn Sohlström, ka thënë se ndeshja kualifikuese e atdheut të tij për Kupën e Botës kundër Kosovës do të jetë shumë e veçantë për të, pasi kishte jetuar në Prishtinë për disa vjet para më shumë se një dekade.
Sohlstrom ishte emëruar përfaqësues për Prishtinën i Javier Solanës, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri në dhjetor të vitit 2005, raporton Gazeta Express.
Disa orë para takimit kualifikues për Kupën e Botës Katari 2022 mes Kosovës dhe Suedisë në Prishtinë, Sohlstrom e ka zgjedhur rrjetin social Twitter për t’i shprehur emocionet e një ndeshje të veçantë për të.
Duket se dy qëndrimi në Prishtinë i kishin mjaftuar diplomatit suedez ta ndiejë veten si në shtëpinë e vet dhe të mbajë kujtime të paharrueshme nga Kosova.
“Ndeshja e veçantë futbolli për mua sonte. Suedia në Prishtinë për t’u përballur me Kosovën – shtëpinë time nga viti 2005 deri më 2007, dhe një shtet të cilin do ta mbajë gjithmonë afër zemrës sime”, shkroi Sohlstrom në Twitter.
Kosova dhe Suedia bëjnë pjesë në Grupin B kualifikues bashkë me Spanjën, Gjeorgjinë dhe Greqinë.
Suedia e fitoi ndeshjen parë në grup kundër Gjeorgjisë, ndërsa Spanja barazoi me Greqinë.
Kosova kishte pushuar në xhiron hapëse.