Ambasadori kinez në Serbi, Li Ming ka thënë se lidhja miqësore e Kinës me Serbinë duhet të shërbejë si model për marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Evropian.
Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për “miqtë serbë që mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve kino-serbe të cilat vendosin një pikë referimi për bashkëpunim mes Kinës dhe BE-së dhe një model për komunitetin ndërkombëtar”.
“Sapo kemi festuar 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për miqtë tanë serbë, të cilët i kushtojnë vëmendje dhe mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve kinezo-serbe për një kohë të gjatë”, tha ambasadori, deklarata e të cilit u transmetua nga Tanjug.
Li Ming lartësoi raportet mes vendit të tij dhe Serbisë dhe tha se Kina dhe Serbia janë “miq të çeliktë që kanë ndarë të mirat dhe të këqijat së bashku – vitet e fundit, nën udhëheqjen strategjike të krerëve të shteteve të dy vendeve, marrëdhëniet kino-serbe kanë hyrë në një fazë të re të zhvillimit të fuqishëm me të dyja palët që mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën, ato mbështesin interesat thelbësore dhe rrugët e zhvillimit”.
Ai ka folur edhe për bashkëpunimin në biznes mes Serbisë, e cila është një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian por që nuk e pengon të ruajë marrëdhënie të tilla me Kinën, si dhe me Rusinë.
“Ne gjithashtu arritëm rezultate të frytshme të bashkëpunimit në projekte të mëdha si fabrika e çelikut HBIS Smederevo dhe hekurudha e shpejtë Beograd-Budapest, ku Kina u bë burimi më i madh i investimeve në Serbi dhe partneri i saj i dytë tregtar. Në maj të këtij viti presidenti Xi Jinping erdhi në një vizitë shtetërore në Serbi dhe arriti një konsensus të rëndësishëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, duke udhëhequr bashkërisht marrëdhëniet kinezo-serbe në një rrugë të re të ndërtimit të një komuniteti me të ardhme të përbashkët”, tha ambasadori kinez.
“Marrëdhëniet midis Kinës dhe Serbisë kanë vendosur një pikë referimi për bashkëpunimin midis Kinës dhe BE-së dhe një model për komunitetin ndërkombëtar. Kina dhe Serbia kanë perspektiva të gjera për bashkëpunim dhe miqësi të thellë. Le të bashkohemi dhe të jemi gjithmonë miq të mirë që trajtojnë njëri-tjetrin sinqerisht, partnerë të mirë në bashkëpunim në të cilin fitojnë të gjithë, një shembull i mirë në promovimin e drejtësisë dhe një besimtar i mirë në komunikimin ndërpersonal, së bashku do të ushqejmë marrëdhëniet tona dhe do të dëshmojmë se si pema e miqësisë kino-serbe bëhet më e fortë dhe jep më shumë fryte, të mirën e dy kombeve”, tha ambasadori Li Ming dhe në fund shtoi: I uroj Republikës Popullore të Kinës prosperitet, rroftë miqësia mes Kinës dhe Serbisë!”.
Kina e sheh Serbinë dhe Hungarinë si porta hapëse për ta shtrirë ndikimin e saj në Bashkimin Evropian, si dhe ka interesa të tjera që dëshiron t’i realizojë duke lidhur aleanca me dy autokratët Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban.
Për shembull, BYD e Kinës, një komani e automjeteve elektrike, e cila vitin e kaluar shiti më shumë automjete elektrike se Tesla, planifikon të ndërtojë fabrikën e saj të parë në Evropë në Hungari. Duke ndërtuar makina brenda BE-së, Pekini mund të shmangë kërcënimin e tarifave për makinat elektrike të importuara nga Kina.
Në maj 2024, presidenti kinez Xi Jinping udhëtoi për të takuar qeveritë pro Pekinit në Serbi dhe Hungari.
Sidoqoftë përfitimet më të mëdha Serbia i merr nga Bashkimi Evropian edhe pse ka dështuar që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në edhe kësaj radhe. Partnerët kryesorë tregtarë të saj janë Gjermania, Italia, si dhe Kina e Rusia.