Gjendja në Turqi po vazhdon të stabilizohet pas përpjekjes për puç ushtarak të nisur të premten mbrëma.
Ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, në një prononcim dhënë përmes telefonit në RTK, tha se gjendja ende nuk është krejtësisht stabile dhe se institucionet janë duke u përpjekur për ta vënë situatën në kontroll.
Spahiu ka shtuar se numri i të vdekurve nga këto trazira është rritur në mbi 260 dhe se përplasjet mes ushtrisë dhe forcave qeveritare po vazhdon. Ndërsa, ka bërë të ditur se deri më tani asnjë qytetar i Kosovës nuk ka pësuar nga këto ngjarje.
Ai ka njoftuar të gjithë qytetarët kosovarë që gjenden aktualisht në Turqi, se ambasada e Kosovës në Ankara ka vënë në dispozicion dy numra emergjent për t’u paraqitur për ndonjë sugjerim.
“Ne si ambasadë jemi angazhuar që të shohim këtë situatë. Kemi vënë në dispozicion dy numra për shtetasit e Kosovës dhe kemi marr disa telefonata.
Ne i kemi propozuar që të qëndrojnë në vendet ku ata janë dhe ata u janë përgjigjur këtyre sugjerime”.
“Për fat të mirë nuk ka pasur ndonjë incident që i ka involvuar qytetarët tanë dhe shpresojmë që të vazhdojë kështu”, ka thënë ambasadori Spahiu.