Ambasadori i Norvegjisë në Beograd, Arne Bjornstad, ka deklaruar se vendi i tij mbështet Serbinë dhe Kosovën në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e cila nuk do të rrënojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për agjencinës serbe Beta, Bjornstad tha se Kosova ka të drejtë të formojë ushtrinë e saj, por ajo duhet të marrë parasysh pozitën e pakicave etnike dhe procedurën ligjore.
“Norvegjia do që Serbia dhe Kosova të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, për shkak se ajo është në të mirë të dyja palëve. Për shkak të paqartësisë aktuale, e cila e rrit frikën nga destabilizimi i rajonit, Serbia dhe Kosova mbeten të privuara nga investimet dhe mundësia për të krijuar vende pune”, tha është Bjornstad.
Ai ka thënë se marrëveshja eventuale “duhet të marrë parasysh stabilitetin e rajonit” dhe se qëllimi i marrëveshjes është që të krijohet një ambient stabil, që do të jetë tërheqës për investime.
“Për çfarëdo që do të dakordohen Beogradi dhe Prishtina duhet të kenë parasysh pasojat për stabilitetin në rajon”, ka thënë ambasadori norvegjez.
I pyetur nëse Norvegjia është e kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel dhe nëse në negociata duhet të përfshihen edhe SHBA dhe Rusia, Bjornstad tha se nuk sheh ndonjë alternativë ndaj procesit ekzistues.
“Tani për tani nuk ka ndonjë alternativë, ose të paktën nuk ka alternativë më të mirë për negociatat nën patronazhin e BE-së. Unë nuk shoh se si kjo (ndryshimi i formatit) mund të sjellë ndonjë rezultat tjetër”, ka thënë Bjornstad.
Ambasadori tha se Norvegjia, si një vend që e njeh pavarësinë e Kosovës, vlerëson se Kosova, si çdo shtet sovran, ka të drejtë të pavarur vendosë për formimin e ushtrisë së saj, respektivisht transformimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por Norvegjia, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne as nuk përkrahim as nuk e mohojmë që Kosova ta formojë ushtrinë, sepse ne mendojmë se ata vetë duhet të vendosin për këtë” , tha ambasadori, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se Prishtina, në procesin e formimit të Ushtrisë së Kosovës, duhet të marrë parasysh qëndrimin e pakicave etnike dhe të respektojë procedurat ligjore.
“Ata kanë të drejtë për ta bërë këtë (të formojnë ushtrinë), por duke respektuar procedurat ligjore dhe konsideratën për qëndrimin e pakicave të ndryshme, veçanërisht serbëve të Kosovës”, tha Bjornstad.