Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti në takim Ambasadorin zviceran Thomas Kolly me ç’rast patën rastin të bashkëbisedojnë për çështje me interes të veçantë.
Ambasadori shprehu mirënjohjen e tij ndaj ministres për përkushtimin e saj në forcim dhe zbatim të ligjit, duke iu referuar edhe qeverisjes së kaluar Kurti I, por edhe me angazhimin e treguar që në fillim të mandatit të ri.
Ministrja e informoi ambasadorin rreth prioriteteve që ka ndërmarrë për të fuqizuar sistemin e drejtësisë.
U diskutua për procesin e vettingut, për ballafaqimin me të kaluarën dhe për drejtësinë tranzicionale, krahas së cilës përmendën edhe nevojën urgjente për ngritje të kapaciteteve të prokurorëve të specializuar për krime të luftës.
Ambasadori zviceran dhe bashkëpunëtorët e tij u interesuan edhe për krijimin e mekanizmave kundrejt dhunës në familje e dhunës gjinore.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni në institucione i cili u zhvillua përreth 20 vite ishte shqetësimi tjetër që ndanë së bashku çështje në të cilën ambasadori shprehu mbështetjen e plotë në luftë kundër këtij fenomeni.
Krahas Ministres Haxhiu të praniëshëm ishin edhe zëvendësministrja znj.Nita Shala, si dhe këshilltaret e ministres znj. Nazlie Balaj dhe znj. Valza Sadriu, e në anën tjetër në këtë vizitë bashkë me ambasadorin morën pjesë edhe zëvendësambasadorja, znj. Pauline Menthonnex Gacaferri, drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Zhvillim, Katharina Stocker, zyrtari vendor i programit z. Hajrudin Skenderi dhe Gil Bösch, atashe.