Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë pas deklarimeve në Skënderaj se “Zvicra po ndërton ujësjellës në Kosovë, ndërsa ju po i paguani veteranët e rrejshëm”. E gjithë kjo ka marrë një dimension të ri pasi njeriu i kryeministrit Haradinaj, Pal Lekaj, tha se po të kishte kompetenca do ta dëbonte në diplomatin zviceran. Por, një diplomat tjetër kishte qenë edhe më i ashpër ndaj politikanëve,
Bëhet fjalë për ish – ambasadorin e Kroacisë në Kosovë Zlatko Kramaric i cili në vitin 2010 kishte trazuar politikën kosovare duke thënë se ata vendin e trajtojnë si një “lopë qumështi”.
“Shumë prej akterëve të jetës publike dhe politike kanë shndërruar shtetin në lopë qumështi dhe sillen sipas parimit: merr gjithçka që të ofron jeta! Tash dhe këtu. Tash ose kurrë!”, ishte shprehur Kramaric, në artikullin e tij “Letër nga Kosova”, që në gazetën kroate është titulluar “Nuk ka dallim mes europianëve dhe ballkanasve”.
Por, ai nuk ishte ndalë me kaq
Zlatko Kramaric kishte vazhduar përshkrimin e tij për Kosovën dhe udhëheqësit e saj duke shkruar se “dëshira për shtetin ende nuk ka kuptimin e asaj që ata që kanë marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të udhëheqin drejt dhe suksesshëm me shtetin” dhe se “askush nuk ka asgjë kundër privilegjeve dhe jetës së lehtë”.
Komentet e diplomatit kishin nxitur një sërë shkrimesh në mediat kroate.
Për këto fjalë atë botë Presidenca e Kosovës në krye me Fatmir Sejdiun kishte reaguar duke thënë se reagimi do t’i përcillet shtetit kroat.
“Ka qëndrim Presidenca për këtë, por ky qëndrim do të përcillet përmes institucioneve”, kishte thënë zëdhënëis i Presidencës së Kosovës për Gazetën Express më 2010.
Kramaric atë kohë ishte dërguar si ambasador i Kroacisë në Shkup.