Ambasadorja amerikane në NATO bën thirrje për rikthimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Prishtinë | 14 Qer 2023 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) është rruga e vetme përpara për Serbinë dhe Kosovën, deklaroi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Julianne Smith, më 14 qershor në një konferencë online për media.

Kështu ajo iu përgjigj pyetjes së një gazetari për të komentuar tensionet aktuale në veri të Kosovës.

“Masat e menjëhershme nga të dyja palët për të shtensionuar situatwn janë prioriteti numër një”, tha Smith.

Ajo tha se aleatët e NATO-s “me interes të madh dhe njëfarë shqetësimi” i ndjekin ngjarjet në Kosovë.

Ajo theksoi se ShBA-ja ishte e para që dënoi dhunën ndaj ushtarëve të NATO-s, veçanërisht ndaj trupave nga Hungaria dhe Italia.

“Ne besojmë se autorët e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi, me respekt të plotë për procedurat e përcaktuara dhe me transparencë të plotë”, tha Smith, përcjell Klankosova.tv

Ajo përkujtoi se ShBA-ja inkurajon kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe qeverinë e vendit që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

“Ne gjithashtu i inkurajojmë ata që të tërheqin forcat e tyre policore nga lokacionet pranë ndërtesave komunale”, tha Smith, duke shtuar se ShBA-ja në të njëjtën kohë mirëpriti vendimin e Serbisë për të reduktuar gatishmërinë luftarake dhe numrin e trupave të saj pranë kufirit me Kosovën.

“Por thelbi është këtu, që është qëndrimi i të gjithë aleancës se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara dhe se mesazhi i aleatëve të NATO-s është përcjellë për të gjithë”, përfundoi Smith.

Tensionet në veri të Kosovës u shtuan në fund të majit kur Policia e Kosovës futi kryetarët e rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Kjo u pasua me protesta të serbëve në veri të Kosovës, ndërsa në Zveçan pati një incident ku u plagosën disa ushtarë të KFOR-it.

Të ngjashme