Ambasadorja e Kroacisë, Marija Kapitanoviq, ka vizituar Ministrinë e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, e ka informuar ambasadoren Kapitanoviq për dy dikasteret e rëndësishme të ministrisë dhe për drejtimin që ka marrë Republika e Kosovës në fushën e investimeve strategjike.
“Me Ligjin e Investimeve Strategjike, Republika e Kosovës ka bërë një hap përpara. Kualifikimi në listën e investitorit strategjik do të jetë një mundësi e mirë për investitorët në aspektin e lehtësimit të dokumentacionit të kërkuar. Me këtë ligj presim t’u themi jo burokracisë dhe vështirësive të tjera teknike që e kanë pasuar këtë fushë prej kohësh”,- ka thënë zëvendëskryeministri Gashi.
Ndër prioritetet e investimeve konsiderohen energjia, minierat dhe turizmi, ndërsa, nga ana tjetër, ambasadorja e Kroacisë, Marija Kapitanoviq, ka shprehur mbështetjen e shtetit nga vjen, si në të kaluarën, po ashtu edhe në proceset e ardhme të Republikës.