Ambasadorja gjermane: Azilkërkimi është një rrugë pa krye për shqiptarët

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 11:06 | Nga

Gjatë vitit 2017, Gjermania është parë si destinacioni kryesor nga shumë shqiptarë që duan të largohen prej vendit për një jetë më të mirë.

Në një kohë që radhët në dyert e ambasadës gjermane sa vijnë e shtohen, ambasadorja gjermane në Shqipëri Suzanne Schutz ka thënë se azilkërkimi është një rrugë pa krye dhe e pashpresë për shqiptarët.

Ajo bën me dije se tregu gjerman i punës ka një nevojë për specialistë shumë të mirë kualifikuar dhe që i përmbushin të gjitha kriteret ligjore.

Për të gjithë të interesuarit publikohen sot profesionet më të kërkuara në tregun gjerman dhe të gjitha procedurat që duhen ndjekur për të siguruar një vizë pune.

“Më lejoni të them paraprakisht diçka, nëse jemi duke folur për vendet e punës në Gjermani, një gjë duhet të jetë plotësisht e qartë për të gjithë ata shqiptarë që janë të interesuar për mundësi punësimi në Gjermani, të udhëtosh drejt Gjermanisë me qëllimin për t’u punësuar atje dhe pasi të mbërrish të kërkosh azil, është një rrugë që nuk të çon drejt një marrëdhënieje punësimi, por është një rrugë pa krye”, ka thënë ajo për “Gazeta Shqiptare”.

“Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt origjine, që do të thotë se kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë, ashtu sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, përpunohen aktualisht mjaft shpejt dhe refuzohen praktikisht në të gjitha rastet. Në periudhën kohore nga janari 2017 e deri më sot janë riatdhesuar në vendin e tyre rreth 2.500 shqiptarë. Ky numër përfshin personat që janë kthyer me dëshirën e tyre si dhe ata që janë kthyer forcërisht. Këtu më duhet të përsëris edhe një herë, kërkesat e pashpresa për azil dhe qëndrimi ilegal në Gjermani do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në riatdhesimin në Shqipëri të personave, qoftë kjo edhe kundra vullnetit të tyre”, tha ambasadorja Schutz.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme