Qeveria e futbollit në Amerikën e Jugut (CONMEBOL) ka vendosur që të shtyjë ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror Katar 2022, të cilat ishin planifikuar për t’u zhvilluar në fund të këtij muaji.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë CONMEBOL nëpërmjet një komunikate zyrtare ku sqaron se për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia, do të jetë nj sfidë më vete grumbullimi i të gjithë futbollistëve të vendeve përkatëse për këto ndeshje.
“FIFA do të analizojë riprogramimin e këtyre ndeshjeve, duke u koordinuar edhe me CONMEBOL. Jemi duke studiuar të gjithë opsionet e mundshme, se kur mund t’i luajmë këto ndeshje”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e CONMEBOL.
Ky vendim vjen në një moment mjaft të komplikuar, ku shumë klube kanë dalë hapur dhe kanë theksuar se nuk do të lejojnë futbollistët e tyre t’u bashkohen kombëtareve përkatëse për eliminatoret e botërorit.
Shtyrja e ndeshjeve nga ana e CONMEBOL është një lajm i mirë për shumë klube europiane, pasi tani futbollistët nga Amerika e Jugut do të shmangin udhëtime të gjata dhe ekspozimin më të madh ndaj infektimit me Coronavirus.