Në Amerikë janë vetëm dy parti.
E treta nuk u forcua kurrë. Për të katërtën e të pestën as që bëhet fjalë.
Meqë janë vetëm dy, republikanët dhe demokratët kanë dallime të thella ideologjike dhe filozofike mes tyre.
Sipas Jeffrey Stonecash, profesorit të shkencave politike nga Universiteti i Sirakuzës, janë tri fusha në të cilat konservatorët (republikanët) dhe liberalët (demokratët) nuk pajtohen kurrë.
E para është ajo që ka të bëjë me individualizmin ekonomik dhe rolin e qeverisë/shtetit në jetën e njerëzve, transmeton Klan Kosova.
Sipas tij, në këtë pikë, republikanët nuk duan ndërhyrje të shtetit, demokratët po.
Dallimi i dytë i madh mes njërës dhe tjetrës parti ka të bëjë me çështjet racore dhe kulturore.
Stonecash tha se “Partia Republikane është në masë të madhe e bardhë’ ndërsa “demokratja ka gjithnjë e më shumë pakica ‘jo të bardha’.
E treta çështje që i dallon si nata me ditë republikanët dhe demokratët ka të bëjë me imigracionin dhe atë se kush mund, e kush jo, të jetë amerikan. Dhe kjo, në thelb, ka të bëjë me atë se çfarë nënkupton Amerika.
“Për disa njerëz, Amerika është e bardhë. Njerëzit kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Njerëzit që janë të krishterë e shohin veten si njerëz të mirë, njerëz që me të vërtetë përfaqësojnë atë çfarë Amerika është në të vërtetë”. Demokratët edhe në këtë pikë dallojnë shumë. Ata e shohin Amerikën si një ide. Një ide se kushdo që dëshiron të vijë këtu, të punojë fort, që është i përkushtuar, që ndjek rregullat përkatëse, mund të bëhet amerikan”, tha ai në një bashkëbisedim me gazetarë të huaj që po mbulojnë në mënyrë virtual zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ai tha se këto dallime mes dy partive kanë prodhuar një shoqëri amerikane, “në të cilën ka një përqindje në rritje të njerëzve në të dyja anët, që mendojnë se pala tjetër është kërcënim për Amerikën”.