Në një përgjigje për T7, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se normalizimi i raporteve s’ka datë skadimi.
Kjo është atmosfera kur para presidentit Amerikan, arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.
Të shtunën bëhet një vit, që kur Avdullah Hoti e Aleksandër Vuçiq nënshkruan zotimet për normalizim të raporteve mes dy palëve.
Mirëpo që nga 4 shtatori i vitit 2020, jo shumë pika të këtij dokumenti të rëndësishëm janë realizuar.
Megjithatë, njohja nga Izraeli dhe vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që u konsiderua si pika më e rëndësishme, ishte e para që u jetësua.
Pikë tjetër që u përfill ishte ajo e mos-lobimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nga Kosova, si dhe ndaljes së fushatës së ç‘njohjeve nga Serbia.
Ani pse ky zotim skadon për shkak se ishte vetëm për 1 vit, nga Departamenti Amerikan i Shtetit për T7 i kanë bërë thirrje palëve të vazhdojnë këtë moratorium.
Ndryshe nga Departamenti Amerikan, nga qeveria e Kosovës nuk kthyen përgjigje për T7 kur u pyeten se a do e vazhdojnë këtë moratorium edhe pas 4 shtatorit.
Ndërkohë pikë tjetër që pritet të realizohet është ajo e autostradës së paqes, për të cilën ministri Liburn Aliu ditë më parë tha se do fillojë në pranverën e vitit 2022.
Ndonëse pranoi raportin e ShBA-së për Ujmanin, kryeministri Kurti tha se ky liqen është pronë e Kosovës dhe se kjo është çështje e mbyllur.
As zotimi për t’u bërë pjesë e mini-schengenit Ballkanik që tash quhet Ballkani i Hapur, nuk do përfillet nga shefi i ri i ekzekutivit në Kosovë.