Një nga njerëzit kryesor të Departamentit të Shtetit Amerikan, diplomati David Hale do të vizitojë Kosovën me 8 dhe 9 mars. Gjatë kësaj vizite ai do të takojë liderët shtetëror. Kjo vizitë e Hale vjen në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar dhe kur SHBA’të po përpiqen të krijojnë rrethanat që procesi të vazhdojë. Gjatë javës që po lëmë pas krerët e shtetit kanë pritur mysafirë edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Në dy letra të dërguara në adresë të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kishte shprehur interesin e administratës së tij që të shfrytëzohet momentumi i krijuar për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i SHBA-së, gjithashtu në shkresat e tij kishte kërkuar që të shmangeshin veprimet të cilat e bllokojnë procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Dy shkresat e tij në adresë të presidentit Thaçi kishin ardhur pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj për vendosje të taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, masë kjo që u kërkua të pezullohet në një letër të tretë të Departamentit të Shtetit Amerikan, e në të cilën ishin paralajmëruar edhe pasoja për Kosovën.
Interesi strategjik i SHBA-së për t’u arritur një zgjidhje finale Kosovë-Serbi që do të vendoste paqe në Ballkan për një kohë të gjatë, dhe në anën tjetër rezistenca e kreut të Qeverisë për ta pezulluar taksën ndaj mallrave serbe, ka bërë që administrata e Donald Trump, të dërgojë zyrtarë të lartë shtetëror në Kosovë.
Vizitën e dy zyrtarëve të lartë amerikan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Earth dhe Brad Berkley, do ta pasojë vizita e numrit tre të Departamentit të Shtetit Amerikan, David Hale.
Këtë e kanë konfirmuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Hale planifikon të qëndrojë në Kosovë për një vizitë dy ditore, në datat 8 dhe 9 mars.
“Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, planifikon të jetë në Prishtinë me 8-9 mars”, thuhet në konfirmimin e Ambasadës amerikane për Express.
Diplomati amerikan gjatë vizitës së tij në Kosovë do të takohet me krerët e shtetit.
“Ai do të takohet me udhëheqës të ndryshëm shtetërorë”, vijon përgjigja e ambasadës amerikane.
David Hale detyrën e tij të nënsekretarit të Shtetit për Çështje Politike e ka marrë me 30 gusht të vitit 2018. Ai ka shërbyer si ambasador në Pakistan, Liban, ka qenë i dërguar special për paqen në Lindjen e Mesme, dhe ambasador në Jordani, de gjithashtu kishte shërbyer edhe në Misionin Amerikan në OKB.
Gjatë viteve 2008/9, Hale në Uashington kishte qenë zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për Izraelin, Egjiptin dhe Levant [regjion në Azi]. Ai gjithashtu ka qenë Drejtor për Çështje ndërmjet Izraelit gjatë viteve 2001-2003.
Gjithashtu Hale kishte qenë edhe asistent ekzekutiv i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Diplomati amerikan Hale gjithashtu ishte shpërblyer me disa çmime për punën gjatë gjithë karrierës së tij.