Arrestimi i Nicolás Maduro nuk ishte thjesht një ngjarje politike. Ishte një sinjal i fortë për të gjithë “amigot” e tij, sidomos në Ballkan, ku pushteti mbahet me propagandë, frikë dhe lidhje kriminale.
Mesazhi “Aleksandar Vučić – amigo”, i treguar nga Brnabić gjatë një vizite në Venezuelë, që kinse ia ka thënë një ushtar venezuelian, flet qartë për afërsinë mes dy regjimeve.
Por kur mbrojtja e Maduros dështoi përballë një operacioni si ai i Delta Force, frika u përhap edhe te miqtë e tij politikë.
Thirrja e menjëhershme e Këshillit të Sigurisë nga Vučić dhe retorika për “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare” janë pjesë e një skenari të njohur: viktimizim publik dhe mjegullim i realitetit.
I njëjti njeri që:
– ishte pjesë e regjimit të Slobodan Milošević-it,
– mohon gjenocidin në Bosnje dhe Kosovë,
– nuk njeh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosova,
– nxit, toleron dhe mbron figura kriminale si Milan Radoičić,
– përmes BIA-s ka sulmuar Kosovën dhe infrastrukturën e saj,
– dyshohet se ka qenë pjesë e “human safarit” në Sarajevë,
– dhe për muaj me radhë shtyp brutalisht protestat dhe studentët në vendin e tij,
nuk mund të shtiret si mbrojtës i së drejtës ndërkombëtare.
Nuk është rastësi që Vučić e quajti Maduron “mik të madh”, ashtu siç nuk është rastësi që Venezuela e Maduros refuzon të njohë Kosovën shtet. Këto janë lidhje politike të ndërtuara mbi interesa, jo mbi parime.
Nga këndvështrimi i sigurisë kibernetike dhe hibride, ky panik ka një arsye të thjeshtë: precedentët.
Kur bie një regjim i kriminalizuar, rrjeti i tij e kupton se propaganda, shërbimet sekrete dhe “miqësitë” autoritare nuk ofrojnë më mbrojtje reale, sidomos përballë vendosmërisë dhe fuqisë së demonstruar nga Presidenti Donald Trump.