Ish-zyrtari policor i Policisë së Kosovës, Amir Hoxha, i cili u suspendua pasi kritikoi Qeverinë për mospagesë të shujtave dhe orëve shtesë, iu kishte drejtuar ambasadës amerikane për t’u ankuar në ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Policisë së Kosovës,
Ai një gjë të tillë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’ duke shpërndarë shkrimin dërguar ambasadës amerikane në Kosovë në po të njëjtin rrjet social. Në arsyetimin që ia ka drejtuar ambasadës, ai ka thënë se deklarimet e tij për çështjen e shujtave nuk kanë konotacione politike, shkruan lajmi.net.
“…Me të dëgjuar për atë postim, sipas deklaratës së një mediumi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, në koordinim me drejtorin e përgjithshëm të PK-së, Samedin Mehmeti dhe kolonelin Fahredin Verbovci, urdhëroi pezullimin tim në formë arbitrare, i cili ishte i pabazuar në ligj”, thuhet në shkrimin e tij drejtuar ambasadës së SHBA-së.
Ai ka komentuar edhe raportimet për çështjen e dënimit që ka pranuar në Kroaci, duke thënë se tashmë e ka paguar dënimin. Hoxha ka akuzuar MPB-në e Policinë e Kosovës për shkelje ligji, për shpërndarjen e, siç thotë ai, dokumenteve konfidenciale.
“Une jam suspenduar per nje postim nderkaq , ata [MPB, PK] qe kryen veper penale duke shpernda informata konfidenciale ne media , madje per rastin qe ishin duke e hetuar perbrenda, i forcuan pozicionet e tyre dhe u shperblyen nga pushteti dhe per qudi asnjeri nga ta qe ishte pergjegjes e qe i posedonte at dokumentacion nuk eshte marre ne pyetje nga Prokurori se si dolen ato dokumente”, shkroi ndër të tjera ai.
Reagimi i tij vjen pas njoftimit që bëri Hoxha, se nuk ishte më pjesëtar i Policisë së Kosovës.