Thatësia që po vazhdon gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, kanë shtuar dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.
Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPH/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e PK Sharri dhe Drejtorisë për Administrim e PK Bjeshkët e Nemuna, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve.
Për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante si njësitë e emergjencave në komunat përkatëse, njësitë e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera.
“Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve”, thuhet në një komunikatë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
“Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar ne Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare Nr. 21/2013, “ndalohet ndezja e zjarrit jashtë vendbanimeve dhe në raste të ndezjes së zjarreve personat përgjegjës do të sanksionohen”.
“Kërkojmë nga të gjithë Ju, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni Drejtoritë përkatëse. Numrat e Kontaktit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” janë: 044 222718 dhe 044 155735, ndërsa për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Sharri” janë: 045 308164 dhe 044 263 188”.
Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që qytetarër duhet t’i kenë parasysh janë:
Zjarrfikësit 193, Policia e Kosovës 038/192, mobil 192, Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës 112, Ndihma e shpejtë 194 dhe 038/ 500 094.