Analistët dhe deputetët serbë: Barrikadat e Vuçiqit në veri të Kosovës po i mbrojnë Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Tensionet që janë rritur mes Kosovës dhe Serbisë me vendosjen e barrikadave në veri të vendit nga serbët, ka bërë që të aktivizohen të gjitha institucionet ndërkombëtare për të ulur paksa këto tensione.

Megjithatë edhe shumë politikanë e analistë në Serbi mendojnë se ato nuk janë vendosur për të mbrojtur “interesat e serbëve” por për të mbrojtur Millan Radoiçiqin i njohur për krim të organizuar dhe kontrabandë.


Siç raporton Danas, bashkëbiseduesit e këtij mediumi serb janë pyetur nëse barrikadat e Aleksandar Vuçiqit janë vendosur në veri të Kosovës për të “ruajtur” Radoiçiqin apo qytetarët serbë.

Sipas Radomir Lazoviqit, deputetit të Kuvendit të Serbisë, Beogradit nuk i bën fare përshtypje për jetët e serbëve në Kosovë.

I pyetur nëse “po ruajnë” popullin serb në barrikada apo grupet mafioze që kontrollojnë veriun dhe që kanë lidhje me Beogradin, ai tha se “Situata në Kosovë është e komplikuar falë kriminelëve që kanë lidhje me Beogradin. Si në çdo çështje tjetër, Partia Përparimtare serbe ka hyrë thellë në krim, ndaj Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq shpërblehen me tenderë për ndërtimin e infrastrukturës, për të shtruar rrugët në Beograd dhe për të rregulluar disa gjëra që janë të nevojshme për Vuçiqin në Kosovë”.

Sipas historianit Milivoje Beshlin, barrikadat janë barrierë për normalizimin e jetës në veri të Kosovës, janë barrierë për luftën kundër krimit dhe përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit.

“Qëllimi i tyre kryesor është të ruajnë gjendjen e konfliktit të ngrirë si një interes rus të klasit të parë, në mënyrë që ky konflikt, me dëshirën e regjimit në Kremlin, të shkrihet dhe fronti ballkanik të hapet si rezervë e nevojshme, front për Putinin – thotë i intervistuari i Danas.

Ai shtoi se “pikëpamjet dhe qëllimet unike të të gjitha ish regjimeve në Beograd, si dhe pothuajse të gjitha strukturave opozitare, janë plotësisht në përputhje me qëllimet e ushtrisë kriminale të Putinit”.

“Fronti ballkanik është i nevojshëm për Putinin për të maskuar humbjen poshtëruese ruse në Ukrainë. Çdo përpjekje e regjimit të Vuçiqit dhe strukturave të tij kriminale për të qenë përfaqësues i Rusisë në Ballkan, na çon drejtpërsëdrejti në një katastrofë që ende nuk është e armatosur, por as e përjashtuar”, tha për fund Beshlin.

Të ngjashme