Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi një fushatë të vaksinimit ndaj Coronavirusit për veriun e Kosovës, e kjo po cilësohet nga analistët politik si cenim i integriteti territorial, tutje ata kërkojnë që qeveria të marrë masat adekuate ndaj këtij provokimi, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, analisti Blerim Burjani, tha që kjo duhet të jetë përgjegjësi e qeverisë që të mos lejojë hyrjen e njerëzve pa leje për të operuar në Kosovë.
“Po kjo së pari është përgjegjësi e shtetit tonë për të marrë masa adekuate dhe për të mos lejuar hyrjen e njerëzve dhe personalitetit çfarëdo qoftë ai, politik apo mjekësor pa ndonjë leje të përcaktuar mirë dhe pa informata kthyese. Dorëzimi i një leje për të hyrë brenda është shumë e domosdoshme sidomos për infermierët të cilët sot operojnë në Kosovë nga Serbia dhe ndihmës të tjerë shëndetësorë, dhe kjo pak a shumë po e komplikon këtë gjendje. Por edhe Kosova po rri e heshtur në këto tema që një kohë të gjatë prej se ka filluar pandemia ka pasur një lëvizje të shtuar edhe të politikanëve në mënyrë ilegale në veri por edhe të njerëzve të tjerë të kontrabandave dhe infermierëve që t’i ofrojnë ndihmë komunitetit pakicë serb atje”, tha Burjani.
“Kjo e lëndon natyrisht integritetin territorial të shtetit dhe sovranitetin pasi që kjo nuk bëhet me bashkëpunim ndërmjet tyre, pra Kosovës dhe Serbisë. Ju e dini që janë dy zyra kthyese e Kosovës në Serbi dhe ajo serbe këtu dhe mendoj që ata duhet me shkëmbye informata për të mos ndodhur diçka e tillë, edhe pse Serbia po përpiqet të sillet si humanitare, por kjo nuk është humanitet”, theksoi ai.
Sipas tij, ai tha që kjo tendencë e Serbisë cenon sovranitetin e vendit dhe nxit urrejtje.
“Natyrisht që këto tentativa dhe tendenca e vazhdueshme që i bën shteti serb munden me reflektua negativisht, dhe mund të ketë nxitje të ndonjë proteste të mundshme brenda shtetit të Kosovës, deri më tash fatmirësisht nuk kemi pasur protesta as në pjesë të tjera të Kosovës, por që në të ardhmen nuk i dihet se çfarë mund të ndodh. Unë mendoj që kjo nuk duhet të mbetet kështu por duhet të ketë reagime dhe mos të kemi nxitje të urrejtjes”, deklaroi Burjani.
Ai potencoi faktin që tensione me Serbinë ka pasur gjithmonë, dhe sidomos në tema shumë më të mëdha, prandaj nuk e sheh si shumë me tension punën e vaksinave, por që e sheh si të domosdoshme që shteti jonë, të jetë reagues në këto tema.
“Në kuptimin e tensioneve etnike nuk besoj që mund të ketë tensione, pasi ne kemi pasur me Serbinë probleme më shumë, dhe sa i përket vaksinës nuk pres ndonjë tension, por ajo çka është jo e dobishme po tregon Serbia është që kufiri jonë dhe shteti jonë është fluid dhe nuk është shumë i qartë dhe reagues në këto tema dhe këto nuk duhet me u bë shprehi, kalimi në shprehi pastaj është thyerje e vazhdueshme e sovranitetit të një shteti”, përfundoi ai.
Po ashtu, analisti politik dhe eksperti i fushës së sigurisë Xhevat Meha në një intervistë për Ekonomia Online, e ka cilësuar si ndërhyrje flagrante të drejtpërdrejtë të Serbisë për vaksinimin që po u bën qytetarëve brenda Kosovës, duke e konsideruar si një penalizmi që pengon vendimmarrje e lirë, dhe që kjo sipas tij po ndikon në cenimin e integritetit të vendit.
“Sigurisht është ndërhyrje flagrante e drejtpërdrejtë, mirëpo kjo nuk është e para dhe e vetmja, kemi ende me gjithë marrëveshjet e arritura në Bruksel kemi ende paprekshmëri të strukturave paralele serbe të cilat drejtpërdrejtë i përkrah Serbia. Kemi me insistimin e ndërkombëtarëve kushtetutën e cila ka krijuar listën serbe për të përfaqësuar interesat e Serbisë, dhe nuk punojmë për shtetin e Kosovën, dhe krejt këto e penalizojnë Kosovën që të jetë e lirë në vendimmarrje”, tha analisti Meha.