Saga rreth liberalizimit të vizave në Kosovë po vazhdon tash e dhjetë vjet. Ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e dala nga udhërrëfyesi për këtë proces, është vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon liri të lëvizjes, raporton Ekonomia Online.
Situatë e njëjtë po vazhdon edhe tani kur në krye të Qeverisë së Kosovës është Albin Kurti.
Njohësit e proceseve integruese thonë se ndërlidhja e mundshme e procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën me dialogun politik me Serbinë, do të ishte zhgënjyese.
Ata shprehen optimist se lufta në Ukrainë, mund të jetë në favor të Kosovës, që më në fund ta fitojë liberalizimin e vizave.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për Ekonomia Online, se lufta në Ukrainë ka ndryshuar qasjen sa i përket liberlaizimit të vizave për kosovarët.
Ai thotë se një kusht i tillë, tërthorazi ka qenë i lidhur.
“Kjo është e vërtetë më herët, nuk është kushtëzuar por në një farë mënyrë mes rreshtave e ka lënë ta nënkuptohet që mund të jetë edhe kjo si kusht për atë marrëveshjen finale, por kjo ka qenë para luftës në Ukrainë. Normalisht pas kësaj lufte, kanë ndryshuar rrethanat edhe në Kosovë por edhe në Serbi, pra Serbia nuk është më ajo e privilegjuar e Bashkimit Evropian, sepse dy vendet e BE-së siç janë Gjermania dhe Franca e kanë e kuptuar që privilegjimi i Serbisë vetëm po sjellë kokëçarje për BE-në dhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. tash në këto rrethanat e reja gjeopolitike nuk besoj se liberalizimi i vizave mund të jetë kusht për Kosovën, sepse BE-ja e ka kuptuar se e ka humbur komplet kredibilitetin në raport me Kosovën, dhe ata do të mundohen që këtë kredibilitet të paktën ta fitojnë në anën e Kosovës, duke ia dhënë liberalizimin e vizave”, u shpreh ai.
Duke përmendur raportet e Komisionit Evropian, Arifi thotë se me votimin e Demarkacionit, Kosova është dashur ta fitojë liberalizimin.
Ai shpreh optimist se brenda vitit mund të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim.
“Sa i përket kritereve të plotësimit të vizave, Kosova i ka plotësuar në 2017 kur është votuar Demarkacioni, këtë e thonë çdo raport i Komisionit Evropian, dhe që nga viti 2018-2022, në secilin raport e kanë potencuar që Kosova i ka plotësuar kushtet, por topi është në Këshillin e Evropës. Po besoj për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike dhe të sigurisë, është krijuar një momentum pozitiv që Kosovës t’i largohen vizat”, u shpreh ai.
E eksperti i Integrimeve Evropiane, Agron Hoti, thotë se evropianët heqjen e vizave për Kosovën e ndërlidhin kryekëput me dialogun dhe përfundimin e tij me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Teksa ka folur për këtë proces, Hoti thotë se Bashkimi Evropian ka qenë i padrejtë me Kosovën, për të cilën thotë se iu është vënë kritere që asnjë shtet nuk i ka pasur.
“Nuk është e drejtë dhe kjo vazhdimisht ka qenë i ndërlidhur. Shumë gjëra në politikë nuk thuhen. Sikur ta thoshte Bashkimi Evropian që dialogu është i lidhur me liberalizimin e vizave, atëherë kjo do të ishte diçka fatale për vetë BE-në, sepse këso kritere nuk kanë pasur asnjë vend, por neve vazhdimisht na kanë mbajtur të lidhur me dialogun, por edhe vetë deklarata e fundit e trojkës Gjermani, Francë dhe Poloni, la të kuptohet se procesi i liberalizimit të vizave është i lidhur me dialogun”, u shpreh Hoti.