Qeveria Kurti është qeveria e parë e cila po e përmbyll mandatin e saj kushtetues katër vjeçar, por puna e saj për katër vjet në politiken e jashtme nga njohësit e çështjeve politike po konsiderohet “një dështim kolosal”, raporton Ekonomia Online.
Ata thonë se kjo qeveri ka pasur ngecje të mëdha në planin ndërkombëtar, sidomos për sigurim të njohjeve e anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se qeveria aktuale në këtë çështje ka pasur përparim shumë të dobët.
Sipas tij, Kosova nuk ka fituar as njohje të reja dhe as relevancë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se nga kjo qeveri nuk ka pasur as tentativë serioze në këtë drejtim.
“Sikur raporti i Progresit, për disa fusha ka përparim të dukshëm të mirë, të prekshëm, për disa fusha ka zero përparim. Në këtë fushë për fat të keq përparimi është jashtëzakonisht shumë i dobët. Në këtë fushë për katër vite mund të themi që ky është një dështim kolosal i qeverisë së Kosovës, pra jo që nuk ka pasur as njohje as ndonjë relevancë të madhe politika e jashtme, po as tentimi po besoj nuk ka ekzistuar”, ka thënë ai.
Arifi ka thënë se qeverisë i ka munguar dëshira për ta fuqizuar subjektivitetin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Dëshira për ta arritur, për ta fuqizuar subjektivitetin tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare mendoj që edhe ajo ka munguar. Përveç dijes dhe pra po vërehet që një far lloj vullneti për të arritur diçka më shumë nuk ka qenë aty sepse aty ku ka vullnet gjithmonë ka edhe sukses, tash suksesi varësisht se si interpretojnë, por të paktën as ai minimal nuk e shohë”, ka thënë ai.
Analisti politik, Afrim Kasolli ka thënë se qeveria aktuale për këtë mandat në planin ndërkombëtar për sigurim të njohjeve, si dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare ka pasur ngecje në masë të madhe, e që sipas tij, kjo ka ndodhur si shkak i mos pasjes në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Është qeveria që ndoshta që nga shpallja e pavarësisë është e para qeveri e cila po e përmbyll mandatin e saj kushtetuese katër vjeçar. Sa i përket në planin ndërkombëtar sigurimit të njohjeve, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare ka ngecur në masë të madhe. Kjo është e vetëkuptueshëm në një farë mënyre sepse është thënë disa herë nga zyrtarë të BE-së, diplomat amerikanë e të tjerë që progresi i mëtutjeshëm i Kosovës në konsolidimin e saj ndërkombëtar do të varet pikërisht nga progresi në zbatimin e marrëveshjeve me Serbin dhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai për Ekonomia Online
Kasolli ka shtuar se dështimi i vendit për tu anëtarësuar në Këshill të Evropës e ka dëshmuar se pa progres në zbatim të marrëveshjeve, vendi do të mbetet i bllokuar në integrimet euro-atlantike.
“Dështimin për tu anëtarësuar në Këshill të Evropës na dëshmoj që pa progres në këtë drejtim do të mbetet thuaj se i bllokuar fati i integrimeve euro-atlantike të Kosovës. Tashmë është bërë e qartë se edhe fati ndërkombëtar i shtet të Kosovës në bazë të parametrave aktuale në masë të madhe do të varet se sa do të tregoj përkushtim, vendosmëri dhe sa do të ja arrij që ti plotësoj obligimet që ka marr sa i përket normalizimit të raporteve me Serbinë. Fatkeqësisht siç e thamë edhe me herët tashmë Kosova ndodhet përballë dy sfidave, e para BE-ja, KE-ja por edhe ShBA-të e konsiderojnë që Kosova duhet ta hedh hapin fillestar në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshje, për sa kohë Kosova mbete e bllokuar në këtë drejtim nuk them që mund të rrezikohet përfundimisht konsolidimi ndërkombëtarë i shtetit të Kosovës, por mund të ketë vonesa”, ka thënë ai. EO