Analistët serbë: Pesëshja e Madhe do të sjellë në Serbi një plan “merre ose lëre”

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Emisarët e presidentëve të SHBA, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, së bashku me Miroslav Lajçakun, do të shkojnë në Serbi pikërisht pas nëntë ditësh, që është hera e dytë këtë vit që shkojnë në Beograd dhe është e sigurt që ata nuk do të shkojnë me duar të zbrazëta, shkruan gazeta serbe “Blic”, duke theksuar se bashkëbiseduesit e gazetës tregojnë se në një valixhe të mbushur me kujdes mbajnë një plan “merre ose lëre”, i cili i referohet presioneve rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e me këtë edhe lëvizjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga pika e vdekur.

Diplomati serb Sreqko Gjukiq deklaron se pas gjithçkaje që ndodhi në Kosovë, rreth Kosovës dhe Serbisë, ishte plotësisht e pritur vizita e Pesës së Madhe në Beograd.

“Ata nuk do të vijnë duarbosh, por pjesërisht për të shqyrtuar situatën dhe besoj mbi të gjitha të paraqesin një plan për daljen nga kriza aktuale dhe me një plan për kthimin në dialog, më saktë për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve i cili u ndërpre në pranverën e këtij viti”, ka pretenduar Gjukiq.

Gjukiq po ashtu ka thënë se “duhet të presim qasjen e plotë të pesëshes, pra planin që do ta sjellin dhe na mbetet ta pranojmë ose ta refuzojmë”, transmeton Paparaci.

“Pra, më duket se nuk duhet konsideruar se po vijnë për të biseduar, por për të na njoftuar me atë se çfarë kanë vendosur dhe çfarë na kanë paketuar”, pretendon Gjukiq.

Ky qëndrim është zbatuar edhe kur kanë qenë për herë të fundit në Beograd, thekson Gjukiq, duke saktësuar se atëherë është folur për pranimin e planit franko-gjerman.

Gjukiq po ashtu thekson se nuk është i bindur se në atë takim do të ngrihet çështja e sanksioneve të Serbisë kundër Rusisë, por se plani merre ose lëre do të përmbajë sanksione të qarta si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë. Mësuar nga përvoja e kaluar, plani sigurisht që do të përmbajë detyrime dhe afate të qarta dhe të sakta”, ka pretenduar diplomati serb.

Kurse Igor Novakoviq, drejtor i Qendrës Kërkimore serbe për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri, thotë për “Blic” se Kosova do të dominojë si temë.

“Mendoj se tema është në radhë të parë marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe zbatimi i mëtejmë i Marrëveshjes së Ohrit dhe biseda për “incidentin” në Banjskë. Nuk shoh se tema në këtë moment janë sanksionet ndaj Rusisë, pasi që hapja e kësaj teme para zgjedhjeve nuk do të ishte produktive”, pretendon Novakoviq.

Ai ka shtuar se tani situata është komplikuar edhe më shumë nga ngjarjet në Banjskë, kur në sulmin terroristë në veri të Kosovës u vra një polic kosovar dhe tre terroristë serbë, përcjell Paparaci.

Prandaj Novakoviq pretendon se situata “në Kosovë është kritike”.

“Vetë mundësia e një shpërthimi qoftë edhe të një konflikti lokal hap mundësinë e përhapjes. Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe krizës në Lindjen e Mesme, ky është sigurisht një skenar që dëshirohet të shmanget. Këto janë gjithashtu temat e sesionit aktual të Këshillit të NATO-s, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Kosova”, ka thënë Novakoviq për “Blic”.

Nikolla Lluniq, nga Këshilli serb për Politika Strategjike, beson se ardhja e Pesës së Madhe tregon se ka gjithnjë e më pak tolerancë dhe gjithnjë e më shumë pritje në bashkësinë ndërkombëtare.

“Presioni i pritur nuk do të anashkalojë as Prishtinën e as Beogradin dhe “incidenti” në Banjskë mund të jetë një pikë kthese për vendosjen e sanksioneve apo stimulimeve”, ka thënë Lluniq.

Të ngjashme