Forca paqeruajtëse e NATO ka thënë se ka shtuar numrin e trupave të saj në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera në veri të vendit pas sulmit të së premtes në kanalin e ujit të Ibër Lepencit. Ndërkohë, analistët kanë ndarë mendimet e tyre për rastin. Disa thotë se sulmi dëshmon rigrupimin e bandave kriminale në veri të vendit, të tjerët e quajnë sulm me motive politike.
Pas sulmit të së premtes në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në Zubin Potok misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR në një përgjigje për RTV21 tha se ka rritur numrin e patrullave në Zubin Potok.
“KFOR-i ka dislokuar njësi për të siguruar zonën e Zobin Potokut të kanalit të dëmtuar të ujit. KFOR-i gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetjen logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese. Ne po e mbajmë situatën nën vëzhgim”, ka thënë KFOR.
Përveç shtimit të trupave në komunën e Zubin Potokut, KFOR-i ka shtuar patrullat edhe në pjesë të tjera në veri të vendit, përfshirë edhe urën e lumit Ibër.
KFOR-i bënë me dije se i është refuzuar kërkesa e institucioneve të Kosovë për një dislokim të mundshëm të njësive të FSK-së në zonën e prekur në veri të Kosovës.
“Në përputhje me zotimin e vitit 2013 të nënshkruar ndërmjet institucioneve në Kosovë dhe NATO-s, institucionet në Kosovë kanë kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për një dislokim të mundshëm të njësive të FSK-së në zonën e prekur në veri të Kosovës. Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet tashmë të ndërmarra nga KFOR-i”.
Ndërkohë, analisti politik , Nexhmedin Spahiu, thotë se sulmet e fundit në veri të vendit dëshmojnë se strukturat ilegale në këtë pjesë janë duke u rikrijuar. Sipas tij, AKI-ja është dashur që ta hetojë përpara se të ndodhte sulmi.
Analisti serb Branislav Kërstiq, vlerëson se akti i sulmit është një terrorizëm klasik dhe një shfaqje e lojës të politikanëve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, qytetarët janë viktimat e kësaj situate.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhje të ujit jashtë kanalit, që shkaktoi reduktime të ujit në disa pjesë të vendit .
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Zubin Potok, furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.RTV21