Analisti i njohur nga Amerika, Ukë Lushi, ka deklaruar se lideri i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër të Kosovë, Albin Kuti ka bërë një gabim amatoresk në lidhje me LDK-në, shkruan Gazeta Metro.
Lushi po thotë se Albin Kurti po bën gabim që ka ngulur këmbë që vetëm LDK’ja të jetë pjesë e bashkëqeverisjes dhe partnere e saj.
Ai po thotë se të gjitha partitë si PDK, AAK, PSD e AKR nuk janë kriminale, por brenda saj ka individë të tillë të cilët janë hajna e keqbërës.
Andaj sipas tij Kurti duhet ta formon Qeverinë e re edhe me parti të tjera nëse vazhdon që LDK të sillet në këtë mënyrë siç ka bërë tani.
Postimi i plotë nga Lushi:
Albin Kurti, ndonëse qëllimin e kishte fisnik të çonte në opozitë majmërinë, senilitetin dhe kapjen e pushtetarëve që kishin humbur ndiesinë e njerëzisë, ka bërë një gabim amatoresk që ka ngulur këmbë që vetëm LDK-ja do të jetë si partnere e tij për bashkëqeverisje.
Partitë dhe grupet njerëzore nuk janë kriminale si grupe. Individët po. Hajna dhe keqbërës, por edhe patriotë, ka edhe në PDK, AAK, PSD, AKR dhe partitë e minoriteteve, siç ka edhe në LDK, e bile edhe në VV. Pra pushteti duhet të hetojnë, gjykojnë dhe dënojnë individët kriminelë dhe ky është shërbimi thelbësor që e bën një shtet ligjor dhe si duhet.
Kasta të caktuara të LDK-së janë me përvojë në shpllapurisje pushteti kur gjejnë ujë. Kurti duke zgjedhur të demonizojë një pjesë të organizatave politike, në vend se të anëtarëve për të cilët ka ose do të gjendeshin provat për keqeverisje dhe korrupsion, u ka dhënë dhelpërakëve të LDK-së leverixh që ata nuk kanë guxuar as ta përmendin në koalicionet e përparshme me partitë që Kurti e ka vendosur t’i përgjithësojë si e keqja.
Unë shpresoj që edhe kastarët e vjetër të LDK-së do ta pranojnë që partia e tyre është humbëse e zgjedhjeve dhe fituesja dhe numri 1 është VV dhe për më me rëndësi uroj që qeveria e re VV-LDK të bëhet sa më shpejt, mirëpo Kurti duhet të konsiderojë me nxitim si partnerë edhe alternativa tjera nga LDK. Ai duhet t’i jep LDK-së një afat të shkurtër dhe nëse LDK vazhdon me lojëra, Kurti duhet ta harrojë LDK-në sepse Kosova nuk ka kohë as për fiksimet kurtiane dhe as për nazet përfituese të dinakëve të LDK-së. Albin Kurti mund të formojë qeverinë edhe me parti tjera duke u vendosur atyre kushte për anëtarë të diskredituar dhe korruptuar. Dhe pasi të krijohen organet e reja– le të hetohen, gjykohen dhe dënohen pa mëshirë të gjithë banditët, hajnat dhe fëlliqësirat që kanë dëmtuar vendin dhe kombin.
Ose le të shkojmë në Zgjedhje të Reja dhe le të vendosë sovrani.