“Analizë e mirë”, Trajkoviq ndan një citat të gazetarit britanik për Kurtin dhe Vuçiqin

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka ndarë një pjesëz të shkrimit të gazetarit britanik Tim Judah mbi zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Trajkoviq ka shpërndarë pjesën ku Judah ka folur për pozicionin e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Shumë diplomatëve iu duket Kurti kokëfortë dhe se e ka humbur pak përkrahje të Perëndimit, por politika e tij e lojës së ashpër me Vuçiqin ka sjellë rezultate. Vuçiqi është në këmbët prapa dhe i është dashur të pajtohet në disa çështje muajve të fundit”, thuhet në pjesë e ndarë nga politikania serbe, të cilën ajo e ka konsideruar “analizë të mirë”.

Judah në një shkrim të titulluar “A do të mbarojë ndonjëherë lufta në Kosovë?”, ka marrë këndvështrime prej serbëve e shqiptarëve në Kosovë rreth situatës së krijuar gjatë dhjetorit në veri të vendit dhe gjendjen e përgjithshme prej vitit 1999, kur përfundoi lufta e armatosur.

Trajkoviq është një prej kundërshtarëve më të mëdha të pushtetit të Vuciqit në Serbi dhe ndikimit të tij në Kosovë, përmes Listës Serbe.

Së fundmi, Trajkoviq është rikthyer në institucionet e Kosovës si këshilltare e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

Të ngjashme