Dihet se Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, është aktiviteti kryesor statistikor që jep mundësi për të marrë informacione më të plota rreth popullsisë në një kohë të caktuar. Ai është burimi më i rëndësishëm i të dhënave në lidhje me madhësinë dhe kushtet socio-ekonomike të një vendi dhe është një ndër aktivitetet më të rëndësishme dhe komplekse për një vend, ndërsa në aspektin e përfshirjes vlerësohet si operacioni më i madh i një vendi në kohë paqeje.
Të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë i ofrojnë institucioneve të Republikës së Kosovës, bizneseve e grupeve të interesit, institucioneve hulumtuese e akademike, analistëve, individëve e autoriteteve të tjera, një pasqyrë gjithëpërfshirëse dhe të domosdoshme për përgatitjen e Planeve, Strategjive, Analizave e Hulumtimeve të ndryshme, siç janë ato për strehimin, shkollimin, shëndetin, shërbimet e ndryshme, transportin, përpilimin e projekteve, etj. Ndërsa në nivelin ndërkombëtar, Regjistrimi i Popullsisë është thelbësor për të vlerësuar gjendjen e kushteve socio-ekonomike të një vendi, si dhe për monitorimin e marrëveshjeve dhe negociatave shumëpalëshe ekonomike e politike.
Në aspektin e Standardeve ndërkombëtare, është e qartë se Regjistrimet e Popullsisë organizohen në çdo 10 vite. Në këtë aspekt Qeveria dhe institucionet vartëse të saj tashmë janë të vonuara, pavarësisht arsyetimit të gjendjes pandemike. Në bazë të standardeve ndërkombëtare, ky Regjistrim është dashur të kryhej në muajin Prill të vitit të kaluar, pra në vitin 2021, ndërsa vonesa është aq e madhe sa tash jemi në fazën e procesimit të Projektligjit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe sigurisht që deri në fillim të Regjistrimit mund të kalojë kohë për të paktën edhe më shumë se një vit tjetër, pra diku në vitin 2023. Duhet pasur parasysh se Republika e Kosovës pati arritur që ta realizojë Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në vitin 2011 dhe po ta krahasojmë me rajonin, përderisa Maqedonia e Veriut pati dështuar plotësisht ta realizojë Regjistrimin e Popullsisë në vitin 2011, tashmë ka arritur që ta realizojë këtë Regjistrim të radhës në vitin 2021 para Kosovës. Madje, nëse marrim si krahasim gjendjen e tashme me të kaluarën, Republika e Kosovës në vitin 2014 pati arritur ta realizojë edhe Regjistrimin e Bujqësisë, gjë që shumë vende të rajonit në atë kohë nuk e kanë bërë fare. Kjo tregon që tash institucionet përgjegjëse kanë dështuar të realizojnë përgjegjësitë e tyre për realizimin e Regjistrimit të Popullsisë sipas dinamikave kohore të standardit ndërkombëtar të Regjistrimit në çdo 10 vite.
Bazuar në Projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave dhe dokumenteve të tjera përcjellëse që janë miratuar nga Qeveria, ne vijmë në përfundim se, ky Projektligj duhet t’i kthehet sërish Qeverisë së Kosovës për plotësime esenciale apo gjatë procesimit në mes të dy leximeve në Kuvendin e Kosovës duhet të ndryshohet dhe të plotësohet me shumë amandamente, pasi që i mungojnë aspekte tejet të rëndësishme për realizimin dhe kompletimin e të dhënave që dalin nga një Regjistrim i mirëfilltë i Popullsisë.
Përveç që, edhe për rastet konkrete Projektligji ka përgjithësime dhe jo ndarje konkrete të përgjegjësive, për më shumë ky Projektligj ka edhe dualizma. Kjo mund të ilustrohet me ndarjen e përgjegjësive të Këshillit Statistikor, ku ky Këshill tashmë ka përgjegjësitë e caktuara sipas legjislacionit në fuqi për Statistika Zyrtare dhe është pjesë e rëndësishme e Sistemit Statistikor të Republikës së Kosovës. Sipas legjislacionit në fuqi Këshilli Statistikor këshillon bartësit e statistikave zyrtare në kuadër të SSRK-së dhe pastaj bartësit e statistikave zyrtare, në këtë rast Agjencia e Statistikave të Kosovës, i vendos ato në kuadër të pyetësorëve, apo dokumenteve të tjera që kanë të bëjnë me Regjistrimin e Popullsisë. Pranadaj, pjesa e Këshillit Statistikor nuk ka nevojë fare të jetë pjesë e këtij Projektligji.
Në rastin tjetër, përderisa përbërjen e Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë sipas këtij Projektligji e propozon Qeveria dhe e aprovon Kuvendi i Kosovës, në anën tjetër realizuesi i Regjistrimit të Popullsisë siç është Agjencia e Statistikave të Kosovës, është bartur me vendim të Qeverisë të datës 01.07.2020, nga Zyra e Kryeministrit ku ishte më parë, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Në fakt, pikërisht përgjegjësia e madhe e realizimit të Regjistrimit të Popullsisë dhe përgjegjësive të tjera që ka me legjislacionin në fuqi për statistika zyrtare Agjencia e Statistikave të Kosovës, do të duhej të ishte në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Ky ka qenë edhe rekomandim i Eurostat-it përmes shkresave zyrtare dërguar Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që ASK-ja asesi të mos rangohet në kuadër të Ministrisë së Financave të asaj kohe. Po të ishte ASK-ja në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose të paktën në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, do të kishte mbështetje më adekuate dhe pak a shumë një garancion të realizimit minimal të standardeve për një Regjistrim të mirëfilltë, gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm.
Të raportuarit e ASK-së drejtpërdrejt tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në aspektin hierarkik të ndërlidhur me prodhimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare statistikore, paraqet edhe konflikt interesi dhe mundësi të madhe për interferim. Gjithashtu, kjo paraqet edhe rrezik të dështimit të sigurtë të shumë proceseve të Regjistrimit në veçanti, si dhe dështim të gjithë Regjistrimit të Popullsisë në përgjithësi.
Prandaj, lidhur me këtë, përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, nuk janë gjithëpërfshirëse dhe të qarta, në kuptimin e plotësimit të këtyre zbraztësirave dhe mos harmonizimit të këtyre përgjegjësive esenciale për mbarëvajtje të Regjistrimit.
Duke qenë se në rastin e Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2011, procesi ka pas një mbështetje të organizatave ndërkombëtare (UNSD, EUROSTAT, EUCEP), qoftë në aspektin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare, qoftë në aspektin asistencës teknike të realizimit të Regjistrimit, si dhe duke parë që një pjesë e stafit që kanë realizuar Regjistrimin e Popullsisë 2011 dhe Regjistrimin e Bujqësisë 2014 kanë bërë një përvojë të rëndësishme, por që nuk janë më në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, zbraztësirat e mospërfshirjes së këtyre aspekteve në Projektligj, rrezikojnë seriozisht që ky Projekt madhor për Republikën e Kosovës të dështojë dhe të kompremitohet në tërësi. Pra, askund në dispozita të këtij Projektligji nuk janë përfshirë aspektet e angazhimit dhe të shfrytëzimit të përvojës së kapaciteteve njerëzore, qoftë në aspektin e ekspertëve ndërkombëtarë, qoftë në aspektin e ekspertëve vendor. Këtë nevojë të përvojës nuk e mundëson mjaftueshëm legjislacioni në fuqi, prandaj do të duhej të përcaktohej me këtë Projektligj.
Shfrytëzimi i përvojave paraprake të të dy Regjistrimeve të realizuara në të kaluarën, është esencial që procesi i mbarëvajtjes së Regjistrimit të Popullsisë të realizohet me sukses.
Gjithashtu Projektligji nuk përmban edhe përgjegjësitë e angazhimit të stafit të thjeshtë për realizimin e Projektit, pasi që angazhimi i stafit për mbledhjen e të dhënave në terren mund të tejkalojë numrin e 3000 personave të angazhuar në këtë Regjistrim. As aspekti buxhetor lidhur me kompenzimin dhe angazhimin e gjithë këtij kontigjenti njerëzor nuk është përfshirë në këtë Projekligj. Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, respektivisht mbledhja dhe përpunimi i të dhënave, është shumë komplekse dhe me ndjeshmëri shumë të lartë, ku procesi i rekrutimit dhe angazhimit të këtij potenciali kërkon fleksibilitet dhe këtij procesi i duhet dhënë ligjshmërinë për realizimin me sukses të Regjistrimit. Për më tepër është tallje me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe profesionistët e fushës, që e gjithë kjo problematikë të përfshihet në Projektligj vetëm në nenin 16, te kompenzimi ku thuhet “Kompenzimi i personelit të angazhuar në projektin e Regjistrimit të Popullsisë, brenda dhe jashtë Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëhet sipas Projekt-Planit të Regjistrimit që përgatitet nga Agjencia e Statisikave të Kosovës.”
Qeveria dhe institucionet vartëse të saj, ose e kanë lënë kështu të përgjithësuar për qëllime kalkulimi, ose nëse bazohet në zbatimin e legjislacionit në fuqi të zyrtarëve publik, lidhur me angazhimin e stafit jo të përhershëm, do të bllokojë të gjithë procesin e angazhimit të më shumë se 4000 personave në Regjistrim, pasi që legjislacioni në fuqi nuk mund të zbatohet në këtë rast pa pasoja, si për Projektin e po ashtu për realizuesin administrativ të këtyre proceseve. Prandaj, edhe kjo pjesë duhet kthyer tek Qeveria, apo plotësuar dhe amandamentuar nga Kuvendi i Kosovës, për vendosje të modaliteteve realizuese e jo penguese dhe dështuese, siç është tek neni i mësipërm.
Në fund të fundit, dihet se organizimi i zgjedhjeve është unik në vetvete si proces dhe përzgjedhja e stafit ka procedurat e veta, por edhe procesi i Regjistrimit të Popullsisë është unik në vetvete, madje edhe më i ndjeshëm për qytetarin dhe vendin, prandaj duhet specifikuar në këtë Projekligj shumë qartë përzgjedhja e stafit prej mbi 4000 personave.
Mungon ndarja e përgjegjësisë së përdorimit të metodës për Regjistrim, duke e lënë përgjegjësi të përgjithësuar tek Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sidomos kjo përgjegjësi duhet të jetë e specifikuar në mënyrë shumë të qartë. Duhet të përcaktohet me ligj metoda klasike, metoda e përzier, pra klasike dhe elektronike, apo metoda në tërësi elektronike e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Famijjare dhe Banesave. Nuk mund të mbetet kjo përgjegjësi kaq e madhe, përgjegjësi sipas dëshirave të dikujt. Aq më tepër, kur në nivel të vendeve të Evropës tashmë është vendosur që Regjistrimet e radhës, pra 2030 duhet patjetër të realizohen vetëm me metodën elektronike, respektivisht përmes Regjistrave Elektronik të secilit vend veç e veç.
Këtij Projektligji, i mungon në tërësi pjesa e implementimit afatgjatë të instrumenteve për përdoruesit e këtyre të dhënave të rëndësishme statistikore dhe ndërveprimi i domosdoshëm i Regjistrit të Popullsisë, me regjistrat e tjerë si Regjistri Civil, Regjistri i Adresave, Regjistri i Pronave dhe shumë Regjistrave të tjerë, të cilët në Regjistrimin pasues 2030 do të mundësojnë Regjistrimin e Popullsisë me metodën elektronike e jo klasike apo të përzier klasiko-elektronike.
Prandaj, bazuar në mangësitë e lartëcekura, duhet që ky Projektligj ti kthehet Qeverisë së Republikës së Kosovës apo të amandamentohet esencialisht në Kuvendin e Kosovës, për ta plotësuar dhe për të vendosur përgjegjësitë konkrete, në mënyrë që realizimi i të gjithë procesit të Regjistrimit të mos jetë pjesë e keqinterpretimit, keqpërdorimit dhe dështimit.
Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, është projekt kapital dhe me ndjeshmëri shumë të lartë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike, gjinore, fetare, rajonale, politike dhe kompremitimi nga manipulimi eventual i këtyre sentimenteve, si dhe bllokimi i proceseve për shkak të mangësive të përcaktimeve ligjore, do ta dështonte në mënyrë të pashmangshme.
Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta kenë parasysh që në bazë të analizave tona, numri i popullsisë jorezidente, pra numri i popullsisë në diasporë ka arritur shifrën prej afro 1,000,000 (një million) banorëve, ndërsa gjendja aktuale socio-ekonomike në vend është tregues që na jep informacionin se Regjistrimi i ardhshëm në Republikën e Kosovës, do të tregojë numrin prej afro 1,500,000 të popullsisë rezidente. Ky duhet të jetë alarm i dhimbshëm për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, si projekt kapital dhe tepër i rëndësishëm për vendin tonë, duhet të përfshijë të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Krejt në fund, ky Projektligj nëse nuk ndryshohet, plotësohet dhe amandamentohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk garanton as për së afërmi realizimin e Regjistrimit e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, sipas nevojave të vendit dhe standardeve ndërkombëtare.
(Autori ka qenë kryeshef Ekzekutiv i ASK-së 2011-2020)