Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti, ka dhënë detaje rreth vizitës dyditore në Bruksel të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ai në Klan Kosova tha se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi e ka ftuar emisarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak që të shoh shpikjet e Serbisë se UÇK-ja ka arkiva.
“z.Bislimi e ka ftuar z.Lajçak që të vij në arkivat shtetërore të Kosovës të shikojë dhe të bindet për shpikjet e Serbisë se UÇK-ja ka arkiva dhe në to mund të gjendet fati i të pagjeturve serb”.
“Në Bruksel ne pala e Kosovës kemi kërkuar hapjen e arkivave shtetërore të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë së luftës së fundit në Kosovë. Të masakrave dhe krimeve që ushtria dhe policia e Serbisë i ka bërë në Kosovë”.
“Dhe për këtë z.Petkoviq ka dhënë aprovimin e tij. Ai ka pranuar që ne të kemi qasje në arkivat shtetërore të Serbisë. Shpresoj që kjo të mos mbesë në teori’.
Hoti tha se deklaratat e Bislimit janë keqinterpretuar.
Sipas tij me këto po tentohet që të politizohet çështja e të pagjeturve.
“Po ndjej shumë keqardhje që edhe kjo çështje po tentohet të politizohet. Po tentohet të bëhet politikë edhe me fatin e të pagjeturve. Kjo nuk i bën nder askujt edhe aq më pak i ndihmon ndjeshmërisë së një procesi të tillë. Unë e dëgjova z. Bislimi. Unë kam qenë me z. Bislimi në Bruksel ditën e martë dhe të mërkurë. Në takim me z.Lajçak kemi qenë unë dhe Bislimi ndërsa me z.Petkoviq ka qenë vetëm Bislimi”.
“Me aq sa kam dëgjuar unë sepse më duhet ta theksoj së unë nuk jam avokat i z.Bislimi por unë jam avokat i asaj se çka ka ndodhur në Bruksel dhe për hir të familjarëve të personave të zhdukur dhe me përulësi dhe respekt ndaj OVL UÇK-së dhe përulësi dhe respekt krerëve të UÇK-së që sot gjenden në Hagë mua më duhet të sqaroj të keqinterpretim dhe një keqkuptim që është bërë orëve të fundit”.