Andin Hoti: Dy shqetësime për qytetarët, Coronavirusi dhe Coronapolitika

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Ish deputeti Andin Hoti, ka vlerësuar ditën e sotme kur po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku siç thotë ai “duhej të kishim një politikë që të luftoj armikun e përbashkët që i kanoset popullit tonë, e jo të kishim dëgjuar marrëzirat tuaja që nga mëngjesi”.

Hoti ka vlerësuar punën e institucioneve në këtë situatë, duke shprehur respekt për angazhimin e pandalshëm të tyre në situatë emergjente që ka prekur çdo qytetar. Ai fton për kujdes dhe të dalin faqebardhë bashkë nga kjo situatë. “Lider i vërtetë është ai që mendon për gjeneratat e ardhshme, jo zgjedhjet e ardhshme, fatkeqësisht të tillë na mungojnë”, ka potencuar Hoti.

Ja postimi i Andin Hotit:

“Të dashur qytetarë, E kuptoj fuqishëm shqetësimin tuaj të dyfishtë, coronavirusin dhe corona – politikën. Përderisa këtë të paren e kemi në dorë t’Zotit, këtë të dytën ja bëjmë vetit. Jemi në gjendje të jashtëzakonshme shkaku i virusit vdekjeprurës, dhe është për tu ardhur keq që na mbartet mbi supe edhe shqetësimi i krizës politike në Kosovë. Prandaj ju ftoj si mik, bashkatdhetar i juaji, bëhuni secila qeveri n’vete, bëhuni secili Zot i vetes tuaj, ruajeni veten e familjen tuaj, ruajeni shëndetin dhe mbani kujdes maksimal, zbatojini rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për fat të mirë: Gazetarët po punojnë pareshtur që t’na mbajnë të informuar për këshillat që duhet të ndiqet. Punëtoret shëndetësor po punojnë palodhur, me orare të stërzgjatura, që t’na shpëtojnë nga ky virus. Policët janë 24 orë në shërbim tonin. Punëtorët e shërbimeve të përgjithshme, që vazhdojnë t’na sigurojnë ujë e rrymë, internet e postë, çdo gjë që na nevojitet për jetesë. Punëtorët e dyqaneve ushqimore e furrave, që vazhdojnë të rrezikojnë jetën duke pasur kontakte të shumta me njerëz, vetëm që t’na shërbejnë neve. Mësimdhënësit që gjejnë forma të ndryshme të vazhdojnë të japin dije tek nxënësit tanë. Jemi me fat që i kemi dhe do t’i kemi gjithmonë, sepse ata janë bijat e bijtë e popullit. Prandaj, mendoj unë, që elita politike e Kosovës, duhet të jetë në rend të dytë e besa edhe të tretë, me politikanët që i kemi sot. Ajo që sot po ndodh në Kuvend, është më shumë cirk se sa politikë në këtë gjendje në të cilën ballafaqohet Populli i Kosovës, praktikë e demagogjisë që i kemi dëgjuar jo pak herë. Ne sot duhej të kishim një politikë që të luftoj armikun e përbashkët që i kanoset popullit tonë, e jo të kishim dëgjuar marrëzirat tuaja që nga mëngjesi. Prandaj nuk është çudi që partitë politike nuk e qesin përpara ‘pushtetit’, shtetin e popullin, të mësuar janë e jemi. Lider i vërtetë është ai që mendon për gjeneratat e ardhshme, jo zgjedhjet e ardhshme, fatkeqësisht të tillë na mungojnë! Prandaj bëhuni lider të vetes e familjes suaj. Zoti qoftë me ne, e dalshim shëndosh e mire nga kjo situatë. Zoti i bekoftë shqiptarët! Andin U. Hoti”

Të ngjashme